
Debate dhe përplasje janë shënuar në mbledhjen me dyer të mbyllura, ku kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat me kryetarin e Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj.
Sipas burimeve, mbledhja ka nisur me diskutimin për Bashkinë e Poliçanit. Në këtë moment, Rama i është drejtuar Zotkajt duke i thënë se nuk duhej të ishte pjesë e takimit, duke iu referuar vendimit të tij për të djegur teserën e Partisë Socialiste.
“Ju nuk duhet të ishit në takim sepse bëtë aktin e paturpshëm dhe dogjët teserën e PS”, mësohet t’i ketë thënë Rama kryebashkiakut.
Zotkaj i është përgjigjur duke kundërshtuar kryeministrin: “Nëse ka një akt paturpësie është ajo që keni bërë ju dhe PS, që shkrini një bashki që ju ka votuar për 25 vjet”.
Pas përplasjes, burimet bëjnë me dije se Adriatik Zotkaj është larguar nga mbledhja që në fillim të saj.
Mësohet se debate ka pasur edhe me kryebashkiakët e Divjakës dhe Dimalit.
Mësohet se debate të forta kanë pasur me Ramën edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bello, dhe kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, të cilët kanë mbrojtur qëndrimin kundër shkrirjes së bashkive që drejtojnë.
Në debat është përfshirë edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku. Sipas burimeve, kryebashkiakët kanë ngritur kundërshtime lidhur me kriteret e përdorura për përcaktimin e bashkive që do të përfshihen në riorganizimin territorial.
Një nga momentet më të forta të mbledhjes ka qenë përplasja lidhur me reagimin e komuniteteve lokale.
Mësohet se Rama iu është drejtuar kryebashkiakëve duke i akuzuar se po nxisin qytetarët të protestojnë kundër reformës territoriale. Kryeministri ka pretenduar se kundërshtimi i tyre nuk po mbetet vetëm në nivel institucional, por po shtrihet edhe te qytetarët, duke krijuar rezistencë ndaj ndryshimeve të propozuara.
Nga ana tjetër, kryebashkiakët kanë kundërshtuar mënyrën se si janë përzgjedhur bashkitë që pritet të shkrihen, duke ngritur pretendimin për standard të dyfishtë.
Në diskutim janë përmendur konkretisht Peqini, Vau i Dejës dhe Roskoveci. Sipas kryebashkiakëve, këto bashki kanë tregues më të dobët performance, por pavarësisht kësaj nuk janë përfshirë në të njëjtën mënyrë në ndryshimet e propozuara.
Pjese nga debatet ne mbledhje
Rama: Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Policiani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie
Adriatik Zotkaj: Komuniteti i’u përgjigj veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe Kryeministrit. Në ka një mosmirënjohje është ajo e PS
Rama: Ju udhëheqësit e mëdhenj!
Juliana Memaj: Ç’udhëheqës zeza! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje.
Kjo deklaratë, sipas burimeve, ka irrituar kryeministrin, i cili i ka kërkuar kryetares së Dimalit të largohej nga mbledhja./Versus.al


