Kryeministri Edi Rama ka sqaruar mënyrën se si do të zbatohet në praktikë akti normativ për uljen e akcizës së karburanteve, një vendim i miratuar së fundmi nga qeveria.
Gjatë podkastit të tij, Rama bëri me dije se mekanizmi parashikon ndërhyrje automatike në momentin kur çmimet në treg kapërcejnë pragjet e përcaktuara. Konkretisht, ulja e akcizës me 20% për naftën do të hyjë në fuqi sapo çmimi të kalojë 220 lekë për litër, ndërsa për benzinën pragu është 200 lekë për litër.
Sipas tij, këto kufij janë vendosur për të garantuar një reagim të balancuar ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, mbi të cilat Shqipëria nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë.
Rama theksoi se masa synon të amortizojë ndikimin e menjëhershëm te qytetarët, pa cenuar stabilitetin e financave publike në një kohë pasigurie globale. Ai shtoi se ulja e akcizës do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e situatës ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu rolin e Bordi i Transparencës, i cili do të monitorojë tregun dhe do të garantojë reflektimin korrekt të çmimeve në vend, duke paralajmëruar masa të forta ndaj çdo abuzimi nga distributorët.
“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike. Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i
Transparencës, që është vënë në lëvizje, do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë çka duhet të ndodhë në tregun vendas. Ky është një reagim i duhur, i matur në kohë, që garanton vendimmarrje të shpejta, që mishëron përgjegjësi të plotë dhe që do të bëjë të mundur që qytetarët, drejtuesit e automjeteve, të mos abuzohen nga distributorët e naftës. Masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës, në bazë të tregjeve, do të jenë drastike”, tha Rama.
Në të njëjtën kohë, Rama foli edhe për skemën e re të mbështetjes në bujqësi, duke theksuar se ajo rrit financimin dhe lehtëson kushtet për fermerët, veçanërisht për të rinjtë, si dhe nxit përdorimin e praktikave të qëndrueshme dhe metodave biologjike në prodhim.
“Kjo skemë rrit ndjeshëm mbështetjen jo vetëm në aspektin e volumit financiar, por edhe për lehtësimin e kushteve për të përfituar atë që i takon çdo fermeri dhe duke financuar në ato drejtime prioritare që garantojnë më shumë produktivitet dhe fuqizim të zinxhirit të vlerës. Për herë të parë, forma mbështetjeje që nuk janë përdorur deri më sot, një tjetër risi është nxitja e praktikave të qëndrueshme në bujqësi përmes metodave biologjike”, tha Rama./Versus.al


