
Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy M’Sy” i është përgjigjur një qytetari i cili shprehej skeptik për projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë duke nënvizuar faktin se Rama nxjerr projekte të tilla sa herë që afrohen zgjedhjet.
“Hekurudhë që nuk do mbarojë kurrë e që nuk do bëhet kurrë. Interesante pikërisht në kohë zgjedhore kryeministri zgjedh ta publikojë këtë projekt që nuk do realizohet kurrë, miliarda do i kushtojë popullit”- shkruan qytetari në rrjetet sociale.
Rama iu përgjigj duke thënë se vlerën e hekurudhës do e përcaktojë një ekspertizë ndërkombëtare dhe se projekti do financohet nga fondi evropian i investimeve të BE për Ballkanin Perëndimor.
“Ky projekt është prezantuar në çdo fazë të tij madje edhe në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive. Nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me fazën e re kur konsulentët austriakë kanë përcaktuar opsionin e kalimit nga Shkodra përmes Gjakovës në Prishtinë si më të mirin. Prandaj edhe ekipi ynë e ka parë të domosdoshme ta bëjë me dije mbylljen e fazës.
Sesa do kushtojë, këtë do e nxjerrë ekspertiza ndërkombëtare dhe do aprovohet nga fondi evropian i investimeve të Ballkanit Perëndimor. Pa lekë hekurudha nuk bëhet dhe a do mbarojë apo jo nuk e kanë në dorë ata që shajnë nga Tirana e Prishtina, por ata që punojnë në llogoren e së ardhmes”- u shpreh kreu i qeverisë.
Ndërsa sa i takon një qytetari që i kërkonte që fillimisht të përfundonte hekurudhën Durrës-Tiranë, Rama u shpreh se shkak është bërë pozicioni ku ndodhej Shqipëria pasi nuk merrej seriozisht nga BE që është financuesi i projekteve hekurudhore. Versus.al








