Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka qenë e ashpër në takimin e organizuar me punonjësit e ujësjellës kanalizimeve në Vlorë për shkak të abuzime në këtë institucion.
Balluku gjatë takimit është shprehur se do të ketë zero tolerancë për këdo që abuzon me detyrën duke shtuar dhe se ka gati dosjen për në SPAK për këtë institucion.
“Sot kemi një përmirësim nivelesh të të ardhurave, kemi përmirësimin e humbjeve të ujit të pijshëm në rrjet. E vetmja ndërmarrje që ka një problem është ajo e Vlorës, por që të abuzohet në kurriz të qytetarëve të Vlorë, kjo është diçka që ju duhet ta dini zyrtarisht, kjo nuk është një çështjet që do lihet në sirtarë, por do ndiqet ligjërisht për të gjithë të përfshirët. Kjo është detyra ime personale dhe stafit të Ministrisë dhe do t’i shkohet deri në fund. Do çoj dosjen në SPAK. Kemi dy muaj që i kemi shkuar deri në rrënjët e fundit, deri aty ku është ngjizur kjo skemë. Dosjet janë gati,” është shprehur Balluku.
Sipas Ballukut në skemë janë përfshirë edhe vetë juristët e ndërmarrjes, të cilët sipas saj kanë punuar në dëm të shoqërisë për interesa korruptive.
“I keni hyrë detit në këmbë. I keni rënë në qafë popullit të Vlorës, bizneseve, pensionistëve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë dhe për këtë do përgjigjeni të gjithë. Ky është grup i strukturuar, i cili ka vepruar në bashkërendim të plotë në kurriz të shqiptarëve dhe në kurriz të popullit të Vlorës. Sot UKV është në risk për të mos ofruar dot shërbime në kulm të sezonit, sepse ca patën dëshirë të bënin para dhe besuan se zbuluan skemën e shekullit”, shtoi më tej ministrja.







