POLITIKË /

“Shqiptarët punojnë në Instagram”, Rama: Punëtorët nga Bangladeshi vijnë se pagat janë si në Greqi e Kroaci

Sipas Ramës, nuk ka asnjë vend në bregdetin shqiptar ku pagat të jenë më të ulëta se në Greqi e Kroaci.

Shkruar nga Versus

“Shqiptarët punojnë në Instagram”, Rama:

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një konferencë të mbajtur për Arsimin dhe Formimin Profesional ku nuk ngurroi të fliste as për turizmin dhe vendet e punës. Sa i takon numrit të madh të punonjësve nga Bangladeshi e vende të tjera të Azisë, apo vendeve arabe, Rama tha se arsyeja përse ata vijnë në Shqipëri është se pagat janë njëjtë si në Greqi e Kroaci.

“Po të shikojmë bregdetin shqiptar sot, ka filluar të zhvillohet në Golem. Sot është e paimagjinueshme që dikush, cilido sipërmarrës të shfaqet në dyert e autoriteteve dhe të propozojë atë lloj zhvillimi. Sepse është zhvillim tërësisht i papranueshëm, por i lidhur me një kohë kur mundësitë ishin shumë të kufizuara.

Dhe mbi të gjitha kur aftësia blerëse ishte shumë e kufizuar. Pavarësisht problematikave që ka patur zhvillimi i ndërtimit në fushën e turizmit, gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar. Zhvillimet janë bërë më cilësore, kostot e ndërtimit kanë ardhur duke u rritur, por edhe çmimi ka ardhur duke u rritur.

Vijmë tek punonjësit nga Pakistani dhe Bangladeshi. E them me përgjegjësi të plotë dhe sfidoj këdo të më provojë të kundërt. Sot problem kryesor i industrisë së turizmit nuk është sa të paguajnë, por ku të gjej punonjësit përkatës për të gjitha nivelet që ka edhe zanatin për ta bërë atë punë si duhet. Nëse dikush më gjen një vend në bregdetin shqiptar, flas për investimet që janë bërë, hoteleri, ku paguhet më pak se në Greqi, atëherë unë do detyrohem të rishikoj këtë opinion. Nuk ka, nuk gjendet një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë më e ulët se në Greqi, apo Kroaci.

Cili është problemi? Problemi është se ata të cilët nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata që mendojnë se punonjësit e huaj vijnë nga Filipinet për të punuar si skellevër, ata nuk duan të punojnë të marrin një pagë si në Kroaci e Greqi. Ose punojnë në Instagram dhe japin intervista sesi jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj. Sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do jenë pagat. Sa më e ulët të jetë cilësia, aq më të ulëta do jenë pagat”- u shpreh Rama mes të tjerash. Versus.al

Poll