
Qeveria shqiptare dhe kompania italiane e energjisë Eni S.p.A. kanë nënshkruar në Tiranë një memorandum mirëkuptimi për realizimin e një studimi fizibiliteti mbi krijimin e kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit.
Marrëveshja synon forcimin e sigurisë së furnizimit energjetik, rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe pozicionimin e Shqipërisë si një nyje e rëndësishme energjetike në rajon.
Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e vlerësoi bashkëpunimin si një hap strategjik për zhvillimin e sektorit energjetik në vend.
Rama informoi se bëhet fjalë për krijimin e një kompanie që do të jetë një model i ri i qasjes ndaj tregut kombëtar, por edhe rajonal të hidrokarbureve.
“Kujtoj se kohë parë, me fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator modern dhe dinamik i cili bën në njëfarë mënyre edhe rolin e një rregullatori të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorët”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe faktin se “rrugës u shfaq një krizë shumë domethënëse që përsëri vuri në diskutim çështjen e rezervave strategjike të naftës”. “Rezervat strategjike të naftës ne i kemi të rregulluara në një kuadër ligjor që me ligjin e ri të çuar përpara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëhet një kuadër i plotë”, shtoi Rama.
Palët pritet të vijojnë me fazat e studimit të fizibilitetit, që do të përcaktojë më tej modelin dhe strukturën e kompanisë së re energjetike.

