
Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi flet detaje nga jeta përtej politikës. Përballë gazetares dhe moderatores Nisida Tufa, në emisionin ‘Kjo javë’ në News24, Kryemadhi foli për jetën e saj pas divorcit si dhe përjetimet e fëmijëve të saj.
“Tani jam më e lirë. Të vetmin ndryshim që kam sot, është se në mëngjes, nëse më parë në krevat kisha Ilir Metën, sot kam Borën. S’kam pasur titull më parë. Kam qenë në shërbim të të rinjve”, - tha ajo.
Duke u ndalur te divorci, Kryemadhi tha se fëmijët e saj i rriti më shumë ndarja e prindërve të tyre.
“Fëmijet janë shumë të rritur. Divorci i rriti akoma më shumë. Nuk e mendonin. Por janë shumë të qetë, të pjekur. Janë të lënduar nuk diskutohet, por për shkak të shkollimit të tyre, mendojnë ndryshe. Tani po njohin tamam nënë dhe babanë. Na shihnin njerëz hermetik dhe robot”, - tha ajo.

Kryemadhi tha se kanë qenë shokët politikë ata që e ‘hëngrën’ politikisht.
“Mua s’më hëngri politika, por shokët. Historitë u përdorën për të larguar Monikën. Po të shikosh të gjithë historikun e Monikës, ka promovuar vetëm të rinjtë. Largimi im, largoi mekanizmin e barazisë. Erdhën njerëz nga rruga që e rrudhën partinë,” - tha Kryemadhi.
“Marrëdhënia ime me Ilir Metën ka qenë parimisht emocionale, dashurore. Unë e kam pasur marrëdhënie emocionale, flas për vete. Nëse do ta kisha politike, do ta kërkoja të isha deputete në vitin 1992,” tha Kryemadhi gjatë intervistës.
Ajo shtoi se kishte mundësi të bëhej deputete edhe më vonë, por zgjodhi të mos e ndiqte këtë rrugë:
“Edhe në vitin 1996 më propozuan për deputete në Berat dhe unë propozova Erion Braçen. Nuk jam fare pishman; kam bërë gjënë më të mirë, sepse është i vetmi socialist që ka mbetur në PS dhe që, me të mirat e të këqijat e veta, ngre zërin për problematikat e elektoratit të tij me sinqeritet dhe ndershmëri,” u shpreh ajo.

