
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot se të hënën do të ketë një protestë që do të zhvendoset nga Kuvendi drejt kryeministrisë për të shpallur platformën e paralajmëruar më herët prej demokratëve.
Ai tha se të pranishëm do të jenë deputetët dhe qytetarët dhe theksoi se rruga e vetme për të mposhtur qeverinë e drejtuar nga Edi Rama janë protestat e vazhdueshme.
“Dita e hënë do të jetë dita e fillimit të parlamentit para kryeministrisë të qytetarëve e parlamentarëve. PD ndërmerr tani një fillim të ri, një analizë të plotë të gjendjes në vend të situatës, të zgjedhjeve dhe ecën në bindjen më të thellë se diktatura autoritare e Edi Ramës, ndaj narkoshteti të tij, ka vetëm një rrugë, protestë dhe vetëm protestë.
Do jenë deputetë dhe qytetarë, kjo është një kohë që PD është e detyruar të punojë njëkohësisht në shumë plane. Do fillojmë takimet dhe analizat në çdo qelizë tonën. Deputetët do jenë edhe në Kuvend dhe në komision dhe në takime me qytetarët. Do të kombinohen, nuk mund të them se të gjithë deputetët do jenë aty në rast se kanë takime me elektoratin. Tani jemi hedhur në një qëndrim, betejë të gjithëanshme me regjimin”- u shpreh Berisha duke bërë me dije se protesta kombëtare do të thirret në vazhdim në momentin e duhur pasi të jenë bërë konsultimet përkatëse. Versus.al
