POLITIKË /

Të parët për sigurinë kibernetike, Rama u përgjigjet kritikëve: Shqipëria u ngjit në majë aty ku vite më parë ishte në fund

Rama thekson se renditja nuk përcaktohet nga komentet në rrjetet sociale, por nga një metodologji ndërkombëtare.

Shkruar nga Versus

Të parët për sigurinë kibernetike, Rama u përgjigjet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të renditjes së Shqipërisë në National Cyber Security Index, ku vendi, sipas tij, është pozicionuar në krye të klasifikimit global.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama iu është përgjigjur kritikëve që kundërshtuan lajmin, duke i cilësuar si “urrejtës besnikë” dhe “ushtrinë e tyre të trollave”.

Rama thekson se renditja nuk përcaktohet nga komentet në rrjetet sociale, por nga një metodologji ndërkombëtare. Sipas tij, Shqipëria ka marrë 98.33 pikë, bazuar në vlerësimin e kuadrit ligjor, kapaciteteve institucionale dhe sistemit të parandalimit në fushën e sigurisë kibernetike.

“Renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare”, shkruan Rama.

Kryeministri ironizon më tej reagimet e kundërshtarëve, duke thënë se komentet e tyre përbëjnë “një klikim më shumë” dhe një tjetër konfirmim të vlerësimit të Shqipërisë.

Në fund, Rama e cilëson renditjen si një “arritje fantastike”, duke theksuar se Shqipëria është ngjitur në majë të klasifikimit.

“Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund”, përfundon kryeministri.

 

 

Poll