Procesi i numërimit të votave ka përfunduar zyrtarisht në Librazhd dhe Shijak, dy nga bashkitë ku numërimi u zhvillua pa incidente madhore dhe me ritëm të qëndrueshëm. Rezultatet e dalë nga kutitë e votimit konfirmojnë fitoren e Partisë Socialiste në të dy zonat, duke konsoliduar pozitat e saj në këto qarqe. Në Librazhd PS ka marrë 9253 vota, ndërsa PD ka marrë 3374 vota.
Ndërkohë, në Shijak, një zonë që ka shfaqur gjithashtu mbështetje të fortë për socialistët në zgjedhjet e mëparshme, PS ka dalë sërish forcë e parë me 6907 vota, duke fituar ndaj rivalëve politikë. Edhe këtu, koalicioni PD-ASHM është renditur i dyti me 5179 vota, ndërsa pjesa tjetër e votave është ndarë mes partive më të vogla si Nisma Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë dhe Partia Mundësia.
Procesi i numërimit në të dy qytetet u zhvillua nën vëzhgimin e komisionerëve të partive dhe përfaqësuesve të KQZ-së, me raportime minimale për parregullsi apo vonesa. /Versus.al/







