POLITIKË /

VIDEO/ Ditmir Bushati reagon për protestat kundër qeverisë: Shqipëria vuan nga mungesa e burrështetasve që sakrifikojnë pushtetin për shtetin!

Në një analizë të gjatë publike, Bushati ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për atë që ai e konsideron si shpërfillje të zemërimit qytetar dhe të problematikave që prekin shoqërinë shqiptare

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Ditmir Bushati reagon për protestat kundër qeverisë:

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar lidhur me protestat e fundit qytetare të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera ku jetojnë shqiptarë, duke i cilësuar ato si “protesta dinjiteti” dhe një thirrje për një Shqipëri të re.

Në një analizë të gjatë publike, Bushati ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për atë që ai e konsideron si shpërfillje të zemërimit qytetar dhe të problematikave që prekin shoqërinë shqiptare. Sipas tij, vendi ka vuajtur më shumë nga mungesa e burrështetasve sesa nga mungesa e liderëve të fortë.

“Ne shqiptarët nuk kemi vuajtur nga mungesa e udhëheqësve të pushtetshëm, por nga mungesa e burrështetasve të mençur e patriotë që sakrifikojnë pushtetin për shtetin. Që nuk bëjnë pirueta diplomatike në funksion të mbijetesës politike, duke vendosur në rrezik sigurinë kombëtare”, shprehet Bushati.

Ai thekson se mbijetesa politike nuk duhet të vendoset mbi interesat kombëtare dhe sigurinë e vendit, duke paralajmëruar se kalkulimet afatshkurtra politike mund të cenojnë interesat strategjike të Shqipërisë.

Në analizën e tij, Bushati ngre shqetësime për rrëshqitjen e standardeve demokratike, presionin e ekonomisë informale dhe parasë së pisët mbi shtresën e mesme, rritjen e pabarazisë sociale, vështirësitë e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe krizën e strehimit që po prek familjet shqiptare.

Sipas tij, spekulimet me çmimet dhe qiratë e pronave po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për çiftet e reja të krijojnë familje dhe të jetojnë me dinjitet. Ai gjithashtu e konsideron emigracionin masiv si një nga kërcënimet më serioze për të ardhmen e vendit.

“Sfida e madhe shoqërore sot nuk është vetëm rritja ekonomike përmes ndërtimtarisë dhe turizmit, por garantimi i një jete me dinjitet pa presionin e vazhdueshëm të mbijetesës”, thekson Bushati në reagimin e tij.

 

Poll