
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është thirrur sot nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për t’u pyetur për 4 vrasjet e protestuesve para kryeministrisë më 21 janar 2011.
Në fletëthirrje i është shënuar ora 10:00 për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje nga prokurori Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e 4 protestuesve në boulevard të cilët u qëlluan me plumba nga godina e kryeministrisë gjatë kohës që Berisha mbante postin e kreut të qeverisë.
Sipas mediave, fletëthirrja i është dërguar në banesë, në selinë e PD dhe në Kuvend dhe kjo është fletëthirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin pasi e para e lëshuar më 3 nëntor ishte kthyer mbrapsht pa u hapur.
Ende nuk dihet nëse ish-kryeministri do të paraqitet pasi një ditë më parë në konferencën për mediat pretendoi se nuk i ka mbërritur asnjë fletëthirrje e tillë. Ndërsa akuzoi SPAK-un se e rikthen 21 janarin në vëmendje për të zbehur skandalet e qeverisë. Versus.al


