Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar që në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës të ketë votim elektronik në qarqet e Durrësit dhe Elbasanit.
Sipas KQZ, në qarkun e Durrësit ekzistojnë lehtësirat për të bërë të mundur infrastrukturën e nevojshme të votimt elektronik që do të jepte një rezultat shumë të shpejtë të numërimit. Ndërsa në Elbasan, KQZ kërkon votim elektronik duke argumentuar se e ka një eksperiencë të mëparshme në këtë qark, duke marrë si shembull zgjedhjet vendore të 2023-it ku u përdor.
“Nga ana tjetër ky lloj votimi kërkon angazhimin e një numri të madh njerëzish në terren. Praktika e identifikimit elektronik ka treguar se për qarkun e Durrësit në përgjithësi rekrutimi i personelit të posaçëm për këto procese administruese zgjedhore është më pak sfidues se në shumë qarqe të tjerë. Numri dhe natyra e punës që kryen personeli që do të angazhohet me votimin elektronik është thuajse e njëjtë me atë të identifikimit elektronik”- thuhet në arsyetimin e dhënë për përzgjedhjen e Durrësit.
Në letrën e KQZ arsyetohet pamundësia për të garantuar votimin elektronik në 5 qarqe duke theksuar periudhën e pamjaftueshme për të bërë të mundur përgatitjen e të gjithë elementëve teknikë dhe njerëzorë.
“Në vijim të komunikimeve të mëparshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me ju mbi mundësinë e zhvillimit të votimin elektronik në 5 qarqe, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025, më lejoni t'ju sjellë në vëmendje se kjo mënyrë votimi në këtë numër qarqesh nuk mund të zhvillohet. Periudha nga sot deri në datën 20 Prill 2024 që është data e parë e mundshme e zhvillimit të zgjedhjeve në fjalë, apo deri në datën 11 Maj 2024 që është data e fundit e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2025, është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknik dhe njerëzor për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh”- argumenton KQZ.
Propozimi u është dërguar partive politike të cilave u kërkohet një mendim lidhur me këtë çështje me afat deri në datën 19 tetor. Përkundër qëndrimit të KQZ mbi votimin elektronik duke e cilësuar si sukses, opozita pati ankesa për procesin e votimit dhe numërimit në Elbasan, duke pretenduar për parregullsi dhe mosfunksionim të këtyre pajisjeve elektronike.
Tjetër risi në këto zgjedhje është vota e Diasporës. Më 26 korrik, PD dhe PS miratuan me 106 vota ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do t’u mundësojnë emigrantëve votimin me postë nga shteti ku banojnë. Versus.al








