
Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi akuzohen për shitje të lëndëve narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa. Njëri prej tyre u kap gjithashtu duke lëvizur me një armë imituese të armës së zjarrit, me zara metalikë, në automjet.
Policia bën me dije se operacioni i koduar “Variety” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shigjeta”, pas kontrolleve të ushtruara për identifikimin dhe ndalimin e personave që transportojnë lëndë narkotike për shitje ose lëvizin të armatosur.
Në pranga ranë shtetasit R. S., 36 vjeç dhe I. S., 50 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik, në banesën dhe automjetin që drejtonte 36-vjeçari, në rrugën “Njazi Meka”, u gjetën sasi dhe doza të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe Cannabis Sativa. Në automjetin e tij u zbulua edhe një armë imituese e pistoletës, me zara metalikë.
Ndërsa gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 50-vjeçari, në bulevardin “Zogu i Parë”, policia gjeti një sasi kokaine të ndarë në doza, e dyshuar se ishte për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma, lëndët narkotike, automjetet dhe celularët e dy të arrestuarve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

