
Vizita e mbretit Charles III të Anglisë në Francë shtatorin e kaluar u ka kushtuar pak shtrenjtë francezëve sa i takon shpenzimeve për mikpritjen dhe argëtimin e tij në Paris.
CNN shkruan se përgatitjet në total, kapën shifrën e 475 mijë eurove.
Mikpritja luksoze në Pallatin e Versajës, ku rreth 180 të ftuar morën pjesë në një festë me karavidhe blu, gaforre dhe pulë të marinuar me shampanjë, i kushtoi jo pak buxhetit të shtetit, sipas inspektimeve të bëra nga auditi në Francë.
Mbikëqyrësi, i cili është përgjegjës për shqyrtimin e financave presidenciale, duke përfshirë shpenzimet për stafin, sigurinë dhe detyrat diplomatike, tha se shpenzimet e Pallatit Élysée kishin kaluar 125 milionë euro (136 milionë dollarë) gjatë 2023 – 14% më shumë se një vit më parë.
Shpenzimet e tepërta ishin pjesë e një deficiti shumë më të madh buxhetor të qeverisë franceze në vitin 2023. Darka shtetërore përfshinte shpenzime prej më shumë se 166,000 € për katering dhe 42,000 € për pije, mbi kostot e tjera duke përfshirë mobiljet, lulet dhe dekorimin e tavolinave.
Mbreti Charles dhe gruaja e tij, Mbretëresha Camilla, morën pjesë në banket si pjesë e një vizite shtetërore tre-ditore në Francë, e cila ishte shtyrë nga fillimi i vitit 2023 për shkak të protestave të përhapura mbi reformat e pensioneve të Macron. Gjatë udhëtimit, Mbreti Charles vlerësoi "marrëdhëniet e domosdoshme" midis Mbretërisë së Bashkuar dhe fqinjit të saj në një fjalim historik në dhomën e senatit francez. Versus.al







