Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një shpërthim i fuqishëm tronditi mesditën e sotme, banorët e pallati në qytetin e Elbasanit. *Një bombul gazi dyshohet se ishte shkaku i zjarrit që përfshiu të gjithë apartamentin, ndërsa nga shpërthimi u shemb kati i katërt i pallatit i cili ra mbi katin e tretë. Zjarri u përhap në të gjithë pallatin duke e bërë atë të pabanueshëm. *Shërbimet zjarrfikëse bëjnë me dije se viktima është gjetur në katin e pestë të ndërtesës, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e personit të moshuar që rezulton i zhdukur. *Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 10 persona të asfiksuar janë paraqitur në spital, mes tyre dhe fëmijë *Policia ndërhyu menjëherë për evakuimin e pallatit, kurse nga ana e zjarrfikëseve vijon puna për shuarjen e flakëve.
Shpërthimi në Elbasan, vijojnë kërkimet për nxjerrjen gjallë nga rënojat të 69-vjeçarit por kamerat termike zbehin shpresat

Teksa vijon operacioni për kërkimin e 69-vjeçarit që u zhduk nën rrënoja pas shpërthimit të bombulës së gazit në një pallat në qytetin e Elbasanit, shuhen shpresat për gjetjen e tij gjallë.
Komandanti i Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile, kolonel Hajdar Gurra, ka dhënë detaje mbi operacionin dhe vështirësitë që po hasin ekipet e kërkim-shpëtimit.
Gurra bëri të ditur se në operacion janë angazhuar dy ekipe kërkim-shpëtimi, me gjithsej 16 persona dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrjen.
Ai theksoi se ndërhyrja paraqet rrezikshmëri shumë të lartë, pasi godina është tërësisht e shkatërruar. Megjithatë, kërkimet do të vijojnë deri në fund, duke respektuar të gjitha parametrat e sigurisë për punonjësit.
Sipas kolonel Gurrës, përdorimi i kamerave termike gjatë kërkimeve ka treguar se gjasat që 69-vjeçari të gjendet i gjallë janë shumë të pakta.
Kërkimet janë përqendruar në pjesën e ndërtesës ku, bazuar në informacionet e dhëna nga familjarët dhe strukturat vendore, dyshohet se ndodhej Hamit Ibro në momentin e shpërthimit.
Ndërpriten kërkimet për gjetjen e 69-vjeçarit të zhdukur pas shpërthimit në Elbasan, shkak rreziku nga shembja e pallatit

Është pezulluar operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e personit të zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm në pallatin pesëkatësh në Elbasan.
Vendimi është marrë nga ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes, për shkak të rrezikut të lartë që paraqet struktura e dëmtuar e ndërtesës. Gjendja e rëndë e pallatit ka vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Nga shpërthimi tragjik një person ka humbur jetën, ndërsa një i moshuar rezulton ende i zhdukur.
Operacioni do të mbetet i pezulluar deri në krijimin e kushteve të sigurta për vijimin e kërkimeve dhe ndërhyrjen e ekipeve në ndërtesën e dëmtuar./Versus.al
Shuhet zjarri, pallati në Elbasan kthehet në gërmadhë. Shkrumbohen 3 kate

Flakët që përfshinë pallatin 5-katësh në Elbasan janë shuar plotësisht, ndërsa pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e shkatërrimit të shkaktuar nga shpërthimi i fuqishëm.
Shpërthimi ndodhi fillimisht në një prej apartamenteve të godinës, ndërsa më pas zjarri u përhap me shpejtësi, duke përfshirë të gjithë pallatin.
Në pamjet e siguruara pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, duket gjendja e rëndë e ndërtesës, me dëmtime të konsiderueshme dhe rrënoja në disa prej ambienteve të saj.
Ngjarja shkaktoi panik te banorët, disa prej të cilëve u detyruan të largoheshin në mënyrë emergjente për t'i shpëtuar flakëve. Një prej banorëve ka treguar më herët se, për t'i shpëtuar zjarrit, është detyruar të hidhet nga kati i dytë.
Pas shuarjes së plotë të flakëve, pritet të vlerësohet shkalla e dëmeve materiale, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit./Versus.al
"O ba më ndihmo", banori rrëfen momentet e tmerrit pas shpërthimit: Djali më thirri për ndihmë, më ra dera në kokë

Një prej banorëve të pallatit pesëkatësh në Elbasan, ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm, ka rrëfyer momentet e panikut dhe frikës që përjetoi. Ai tregon se, për të shpëtuar, është detyruar të hidhet nga kati i dytë, ndërsa ka marrë edhe ndihmë mjekësore pasi dera e ballkonit e ka goditur në kokë.
Banori shprehet se ka arritur të shpëtojë djalin e madh, ndërsa në momentin e ngjarjes djali tjetër ndodhej jashtë banesës me të ëmën. Tashmë ai ka mbetur pa shtëpi dhe nuk di ku të qëndrojë.
“E kam shtëpinë në katin e dytë dhe tani nuk kam ku të qëndroj. Më ra dera e ballkonit në kokë. Djali është në dhomën e tij dhe të të thërrasë djali e të mos kesh mundësi ta ndihmosh?! Unë u hodha nga kati i dytë. Shpëtova vetëm djalin e madh, sepse i vogli po vinte nga shkolla me të ëmën”, rrëfen ai.
Banori tregon se pas ngjarjes ka shkuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa shpreh shqetësimin për strehimin e familjes.
“Dola në ballkon dhe bërtita: ‘O zjarrfikësit!’. Sapo erdha nga spitali, ku mora pak ndihmë mjekësore. Ku të fle unë tani? Kujt t'i bie në qafë?”, thotë ai.
Sa i përket shkakut të shpërthimit, banori deklaron se nuk ka dijeni se çfarë e shkaktoi atë, por përshkruan fuqinë e madhe të shpërthimit, që solli edhe shembjen e strukturave të ndërtesës.
“Nuk e di pse ka ndodhur shpërthimi. Nuk jam ekspert për çështjet e shpërthimeve. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë. Nuk e di çfarë ka ndodhur, di vetëm që soleta e katit të tretë ka zënë dhomën e gjumit dhe derën”, përfundon ai./Versus.al
Identifikohet viktima nga shpërthimi në Elbasan/ Djali shpëtoi fëmijët, por s'mundi nënën 82 vjeçare. Hamit Ibro ende i pagjetur

Identifikohet viktima 82-vjeçare që humbi jetën sot pas shpërthimit të bombulës së gazit në pallatin pesëkatësh në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan.
Ajo është Hatixhe Berisha, 82 vjeç, ndërsa familjarët kanë humbur kontaktet me 69-vjeçarin Hamit Ibro, i cili banonte në apartamentin ku ndodhi shpërthimi.ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm,
Një moment dramatik është ai i djalit të viktimës, i cili arriti të hynte në apartament dhe të nxirrte fëmijët e mitur. Kur tentoi të rikthehej për të shpëtuar nënën e tij, shkallët e pallatit u shembën, duke e bërë të pamundur hyrjen sërish në banesë.
Sipas raportimeve, ndërhyrja e ekipeve të emergjencës është tejet e vështirë, pasi tre katet e sipërme të ndërtesës janë shembur mbi katin e dytë, duke dëmtuar rëndë strukturën e pallatit.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për gjetjen e 69-vjeçarit të zhdukur dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi.
Bilanc tragjik nga shpërthimi i bombulës së gazit në një pallat në Elbasan/ Momenti kur zjarrfikësit nxjerrin viktimën

Ky është momenti kur shërbimet zjarrfikëse nxjerrin trupin e pajetë të 82-vjeçares nga apartamenti i përfshirë nga flakët në Elbasan.
Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi, duke shkaktuar dëme të mëdha në pallatin pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha”.
Përveç viktimës, tetë persona të tjerë kanë mbetur të dëmtuar nga asfiksimi dhe janë dërguar në spital. Sipas informacioneve paraprake, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për gjetjen e një personi tjetër që rezulton ende i zhdukur. Ekipet e emergjencës po punojnë për kontrollin e ndërtesës, e cila ka pësuar dëmtime të konsiderueshme strukturore nga shpërthimi dhe zjarri./Versus.al
Zjarrfikëset ndërhyjnë për evakuimin e banorëve të pallatit në Elbasan, marrin në krahë fëmijët

Momente paniku janë regjistruar në pallatin pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm që shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe viktima.
Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë në pallatin 5-katësh për evakuimin e banorëve, ku mes tyre ka patur dhe fëmijë, duke i zbritur në krahë përmes shkallëve .
Të frikësuar nga flakët dhe tymi që përfshiu ndërtesën, banorët janë detyruar të braktisin me urgjencë apartamentet e tyre, ndërsa në vendngjarje vijojnë ndërhyrjet e ekipeve të emergjencës.
Shpërthimi shkaktoi dëmtime të rënda në strukturën e pallatit, ku një pjesë e katit të katërt u shemb mbi katin e tretë. Luftime me flakët dhe operacioni i kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa situata mbetet problematike për shkak të dëmtimeve të ndërtesës./Versus.al
Shpërthimi i fuqishëm në Elbasan, një i moshuar raportohet i zhdukur. Shembet kati i katërt i pallatit

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër rezulton i zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm që përfshiu një pallat pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan. Ndërkohë, tetë persona, mes tyre edhe fëmijë, janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të rënda në strukturën e ndërtesës, ku një pjesë e katit të katërt është shembur mbi katin e tretë.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë fillimisht në katin e tretë të pallatit dhe më pas është përhapur edhe në katet e tjera, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Shërbimet zjarrfikëse bëjnë me dije se viktima është gjetur në katin e pestë të ndërtesës, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e personit të moshuar që rezulton i zhdukur.
“Bëhet fjalë për një pallat pesëkatësh. Ka dëmtime të strukturës së pallatit. U shemb kati i katërt, i cili ra mbi katin e tretë. Morëm masa për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit, që fillimisht ishte në katin e tretë dhe më pas u përhap në katet e tjera. Viktima u gjet në katin e pestë, ndërsa një i moshuar ende nuk është gjetur”, bëjnë me dije shërbimet zjarrfikëse.
Ndërkohë, në vendngjarje vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për të përcaktuar nëse personi i zhdukur ndodhet ende brenda ndërtesës./Versus.al
Zjarri përfshin pallatin në Elbasan, MSH konfirmon vd*kjen e të moshuarës: Mes banorëve të asfiksuar dhe fëmijë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka informuar se nga shpërthimi në një pallat banimi në qytetin e Elbasanit, ka humbur jetën një 82-vjeçare, i cili është gjetur i pajetë në vendngjarje.
Sipas të dhënave paraprake, 8 persona, mes tyre një fëmijë, po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan.
Ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa Spitali Rajonal Elbasan ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të personave të lënduar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në koordinim me strukturat përkatëse, po ndjek nga afër situatën për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit të nevojshëm shëndetësor. Informacioni mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve do të përditësohet në vijim, bazuar në vlerësimet e ekipeve mjekësore.
Shpërthen bombula e gazit në një apartament në Elbasan. Shemben 2 kate të pallatit 5-katësh, djali shpëton fëmijët por s'mundi dot nënën 82-vjeçare. Një 69-vjeçar i zhdukur

Detaje nga shpërthimi në Elbasan/ Apartamenti në flakë, humb jetën 82-vjeçarja në Elbasan

Një 82-vjeçare humbi jetën sot si pasojë e shpërthimit të bombulës së gazit në një pallat në qytetin e Elbasanit.
Mësohet se viktima ishte banore e pallatit dhe jetonte pranë hyrjes e cila u përfshi nga flakët.
Nga zjarri raportohet se 10 persona të tjerë kanë shfaqur probleme me asfiksinë për shkak të tymit, por fatmirësisht gjendja e tyre nuk paraqitet serioze.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se ka rënë aksidentalisht, ndërsa nga veprimet e para në vendngjarje dyshohet se shkak mund të jetë bërë shpërthimi i një bombole gazi.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë ndërhyrjen në vendngjarje, por ende nuk kanë mundur të hyjnë në apartamentin ku ndodhi shpërthimi, pasi në të vijon të ketë zjarr.
Policia ka njoftuar zyrtarisht se ngjarja ndodhi rreth orës 14:45, dhe zjarri ka rënë zjarr në banesën e shtetasit H. I., në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa”.
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 14:45, në rrethana ende të paqarta, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit H. I., në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa”.
Si pasojë, ka humbur jetën, banorja në të njëjtin pallat, shtetasja H. B., 82 vjeçe, si dhe janë dëmtuar 10 banorë të tjerë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po kryen veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.
Elbasan, shpërthen bombula e gazit në një apartament, shemben muret dhe shkallët e ndërtesës. Raportohet për të plagosur

Mesditën e sotme, një shpërthim i fuqishëm shkaktoi panik tek banorët e një apartament në qytetin e Elbasanit, e cila mësohet se u shkaktua nga shpërthimi i një bombule gazi.
Si pasojë e shpërthimit, janë shembur muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit.
Menjëherë pas ngjarjes, ka nisur evakuimi emergjent i banorëve të ndërtesës.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë të mundur nxjerrjen e banorëve, duke ndërhyrë përmes shkallëve të ndërtesës.
Paraprakisht, dyshohet për persona të plagosur, por ende nuk ka një informacion zyrtar mbi numrin apo gjendjen e tyre.
Në vendngjarje vijojnë operacionet e emergjencës, ndërsa priten të dhëna të tjera për shkaqet dhe pasojat e shpërthimit./Versus.al

