Ministri i Financave, Petrit Malaj ishte i pranishëm sot në komisionin për Ekonominë ku foli lidhur me detajet për projektbuxhetin 2027 duke u ndalur në disa pika të caktuara. Sa i takon taksës së qarkullimit e cila për automjetet elektrike do jetë 16 mijë lekë të reja në vit, Malaj tha se është e drejtë që edhe ato të paguajnë për shkak se përdorin të njëjtën infrastrukturë si automjetet me naftë e benzinë.
“Përsa i përket pjesës së taksës së qarkullimit që do aplikohet edhe tek mjetet elektrike. E para më duhet të them se ka një ndryshim shumë të madh të numrit të këtyre mjeteve në 5 vjeçarit të fundit. Ka pothuajse trefishim. Duke qenë se këto mjete elektrike amortizojnë ose konsumojnë të njëjtën infrastrukturë si mjetet me motor djegës, është mëse e drejtë që edhe këto mjete të paguajnë taksë qarkullimi”- u shpreh Malaj duke shtuar se qeveria vijon të mbajë lehtësira fiskale për këto mjete duke mos paguar taksa në importin e tyre. Versus.al

