POLITIKË /

"Vlerësohemi më lart se kurrë më parë", Rama për progres raportin e KE: S'duhet të mbytemi në ujin e pistë të mllefeve

Duke iu referuar protestave, Rama tha se nuk duhet humbur shansi historik për anëtarësimin e vendit në BE.

Shkruar nga Versus
"Vlerësohemi më lart se kurrë më parë", Rama
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për progres raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë duke thënë se ky është vlerësimi më i madh që i është bërë vendit. 

Ndërsa shtoi se vlerësimi nuk i bën më pak të vogla problematikat aktuale të vendit, Rama tha se mundësia e anëtarësimit në BE, është më reale se kurrë dhe se nuk duhet të ketë pengesa në këtë rrugë. 

"Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë.  Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane.  Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian.  Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën. 

Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë. 

Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë. 

Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj"- tha Rama. Versus.al

Tags:

edi rama

Poll