AKTUALITET /

Abuzim me tenderat 77 mln lekë, SPAK dërgon për gjykim ish-kryebashkiakun e Finiqit

Ish-kryebashkiaku i Finiqit Leonidha Hristo dhe 4 ish-zyrtarë të tjerë u jepnin tendera kompanive që nuk plotësonin kriteret.

Shkruar nga Versus
Abuzim me tenderat 77 mln lekë, SPAK dërgon për gjykim
Leonidha Kristo

Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e ish-kryebashkiakut të Finiqit Leonidha Hristo dhe 4 ish-zyrtarëve të tjerë të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se gjatë viteve 2017-2019 në bashkinë e Finiqit janë zhvilluar procedura fiktive të prokurimit të tenderave. Hristo dhe ish-bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë shkelur rregullat duke paracaktuar fituesit në tendera me vlerë deri në 77 mln lekë.

Të pandehurit dhe akuzat ndaj tyre: 

Leonidha Hristo, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Florian Peri, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Stavro Çavo, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Lefteria Mekshi, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Lefter Karajani, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

Skema e abuzimit me tenderat: 

Në Bashkinë Finiq gjatës periudhës 2017-2019 janë zhvilluar disa procedura prokurimi në mënyrë fiktive dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike.

I pandehuri Leonidha Hristo ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bashkisë Finiq dhe ka pasur rolin e titullarit në procedurat e prokuruara nga autoriteti kontraktor Bashkia Finiq.

I pandehuri Florian Peri ka mbajtur detyrën e Përgjegjësit të Njësisë së Prokurimit dhe ka pasur rolin e zyrtarit të prokurimit në procedurat e zhvilluara nga autoriteti kontraktor Bashkia Finiq.

I pandehuri Stavro Çavo ka pasur detyrën e anëtarit të NJP (Njësia e Prokurimit) dhe KVO (Komisioni i Vlerësimit të Ofertave), si dhe është marrë me administrimin e procedurave të prokurimit në autoritetin kontraktor Bashkia Finiq.

E pandehura Lefteria Mekshi ka pasur detyrën e anëtarit të NJP dhe KVO në procedurat e zhvilluara nga autoriteti kontraktor Bashkia Finiq.

I pandehuri Lefter Karajani ka mbajtur detyrën e Juristit dhe specialistit të Prokurimeve në Bashkisë Finiq.

Në analizë të provave të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak rezulton e provuar se procedura e përpilimit/hedhjes së dokumentave të tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer kryesisht nga të pandehurit Florian Peri dhe Stavro Cavo dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së të caktuar në urdhrat përkatës. Ndërkohë që në aktet shkresore titullari i AK, i pandehuri Leonidha Hristo ka ngarkuar persona të tjerë, të cilët i kanë nënshkruar aktet e përpiluara dhe parapërgatitura nga zyrtarë të Bashkisë Finiq, kohë më vonë pas përfundimit të procedurave të prokurimit.

Anëtarët e NJP dhe KVO kanë deklaruar se nuk kanë patur dijeni, që kanë qenë pjesë e NJP apo KVO dhe nuk kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në pjesën më të madhe të procedurave deklarojnë se nuk e kanë kryer ata vlerësimin e ofertave dhe nuk kanë hyrë në sistemin elektronik të prokurimeve, si dhe nuk kanë përpiluar dokumentacion/procesverbal, pasi nuk kanë patur dijeni për procedurat e prokurimit. Rezulton e provuar se vlerësimi i ofertave nuk është kryer nga shtetasit e caktuar si anëtarë te KVO-së por është kryer defacto nga i pandehuri Florian Peri duke përdorur IP e Bashkisë Tiranë (ku ka qenë i punësuar më parë) apo të kompanive në pronësi të familjarëve të tij.

Pra, si pasojë e këtyre veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme të kryera në kundërshtim me ligjin për prokurimit publik apo ligjin per vetëqeverisjen vendore, duke vepruar si më lart përshkruar, rezulton se janë kryer një sërë procedura prokurimi fiktive të organizuara dhe ekzekutuara nga të pandehurit Leonidha Hristo, Florian Peri, Stavro Cavo, Lefterie Mekshi dhe Lefter Karajani, duke shpërdoruar detyrat e tyre ligjore dhe duke kualifikuar O.E. të paracaktuar dhe që nuk plotësonin kriteret, duke sjellë edhe pasoja ligjore/shkaktuar dëm ekonomik nga diferencat e ofertave. Versus.al

Poll