Shqiptarja Kozeta Çaushaj, 56 vjeçe, u përplas nga një makinë dhe humbi tragjikisht jetën në Fano, Itali.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së enjtes.
Ajo po ecte anës rrugës dhe përdore kishte mbesën e saj 13-vjeçare, kur u përplas për vdekje nga një makinë e drejtuar nga një grua italiane 35 vjeçare.
Mbesa e saj fatmirësisht nuk pësoi dëmtime. Megjithatë ajo u dërgua në spital, në gjendje shoku.
Ngjarja ndodhi 1 kilometër larg shtëpisë së Çaushajt, në një rrugë të pandriçuar mirë. Dyshimet e hetuesve janë se kishin dalë për shëtitje dhe për të hedhur plehrat.
Policia e Cagli, në Fano, shoqëroi shoferen e makinës, një 35-vjeçare e cila udhëtonte me një Smart. Ajo nuk rezultoi të ishte nën efektin e drogës apo alkoolit dhe i priti autoritetet në vendngjarje.
“Kozeta ishte një grua e bukur, si nga brenda dhe nga jashtë. Një njeri i jashtëzakonshëm, e dashuruar pas mbesës”, tha një mikeshë e shqiptares për mediat italiane.
Ditën e nesërme do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës së Kozeta Çaushajt dhe më pas trupi i saj do të niset për udhëtimin e fundit drejt vendlindjes së saj, në Kuçovë.