Në një seancë të hapur në Gjykatën Kushtetuese, prokurori i SPAK, Bledar Maksuti, deklaroi se ekziston një praktikë e krijuar nga vetë SPAK, sipas së cilës gazetarët kontaktojnë institucionin përpara publikimit të materialeve që mund të përbëjnë sekret hetimor.
"Gazetarët kanë patur informacion dhe kanë ardhur na kanë pyetur, a mund ta publikoj", tha Maksuti.
Kjo deklaratë u bë gjatë shqyrtimit të ankesës së gazetarit Elton Qyno, të cilit i janë sekuestruar pajisjet e punës në përpjekje për të zbuluar burimin e informacionit që ai kishte publikuar.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e pyeti prokurorin nëse ekzistonte ndonjë bazë ligjore që detyron gazetarët të kërkojnë leje për të raportuar mbi çështje hetimore. Maksuti pranoi se nuk ka një dispozitë të tillë në ligj, por theksoi se gazetarët i drejtohen vetë SPAK-ut për të shmangur publikimin e të dhënave që mund të dëmtojnë hetimin.
Kjo deklaratë ka ngritur shqetësime për një ndërhyrje të mundshme të SPAK në lirinë e shtypit, duke sugjeruar se institucioni ka vendosur një formë joformale të kontrollit mbi median. Ajo përforcon dyshimet se edhe përgjimet e përfolura të familjarëve të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, mund të jenë publikuar në portale të afërta me SPAK-un, në mënyrë selektive dhe të qëllimshme. /Versus.al/








