Sot në orën 09:00 ishte planifikuar të mbahej seanca paraprake ku pritej të vendosej nëse dosja e Erion Veliaj do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim hetimesh, apo do të pushohet.
Megjithatë seanca është shtyrë sërish dhe do të mbahet më 28 tetor. Shkak për shtyrjen është bërë bojkoti i avokatëve ndaj seancave gjyqësore pas ngjarjes së ndodhur tre ditë më parë në Elbasan ku u arrestua avokati Ulian Barjami nën dyshimin se kishte kërcënuar prokurorin Gjergji Ceka në Elbasan. Pavarësisht se Barjami u lirua mbrëmë, bojkoti ka vijuar edhe sot.
Kujtojmë se edhe seanca e kaluar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit më 6 tetor ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit.
Veliaj qëndron në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit të këtij viti kur u arrestua nën akuzë për disa vepra penale. Tashmë së bashku me 28 persona të tjerë, mes të cilëve gruaja e tij Ajola Xoxa dhe ish-deputetja e PS, Klotilda Bushka, Veliaj është marrë i pandehur nën akuzë se ka kryer 5 vepra penale. Versus.al