AKTUALITET /

Dosja “Çyrbja”/ Drejtonin “klanin” e drogës, pas vetëdorëzimit gjykata e Durrësit i dërgon në shtëpi vëllezërit Farruku

Gjykata e Durrësit ka lënë në arrest shtëpie Kreshnik dhe Eneo Farrukun, të cilët do të presin ekstradimin drejt Italisë ku do të gjykohen për akuzat 'Organizata kriminale" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike. Emrat e tyre dolën edhe në komunikimet e “SkyEcc” në dosjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

Shkruar nga Versus

Dosja “Çyrbja”/ Drejtonin “klanin” e drogës,

Kreshnik Farruku, i njohur si kreu i klanit "Farruku" së bashku me vëllanë e tij Erneo Farruku, do të presin në 'arrest shtëpie' ekstradimin drejt Italisë ku do të gjykohen për akuzat  'Organizata kriminale" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike".

Vendimi u mor në 7 Janar nga gjykata e Durrësit e cila miratoi arrestin e përkohshëm të 51 vjeçarit i njohur dhe me emrin Kreshnik Budlla, për të cilin Gjykata e Brescias në Itali më 29 gusht 2024 kishte caktuar masën 'arrest me burg'.

Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme i konfiskoi 27 pasuri të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut dhe vëllait Erneo Farrukut, përfshirë toka bujqësore, apartamente, dyqane dhe automjete.

Ndër pasuritë e konfiskuara numërohen disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.

Dy vëllezërit akuzohen se drejtonin klanin Farruku, grup që u godit në Spanjë në vitin 2023 pas një megaoperacion kundër trafikut të kokainës ku u sekuestrua 2 ton kokainë . Dyshohej se kokaina ishte porositur nga klani Farruku në Ekuador dhe do futej në Spanjë.

Kreshnik Farruku është shqiptari që kishte përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë.  Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me 7 anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë. Në vitin 2014, Kreshnik Farruku, ose Kreshnik Buddlla, u arratis nga burgu dhe u arrestua në vitin 2019 teksa kërkohej në Spanjë e Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave.

Në 2015 Kreshnik Farrukut i është bë një atentat në Shqipëri në zonën e Don Boskos. Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në 2010, për shkak të pazareve të drogës, por më pas rezultoi se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, që u vra në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.

Emri i Farrukut doli së fundmi edhe në komunikimet e “SkyEÇ” në dosjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Nga bisedat e transkriptuara, ish-deputeti i jepte informacione sekrete që të kontrollonte ambientin përreth banesës së tij, pasi kishte informacion se mund të ishte në vëzhgim nga punonjësit e SHISH.

Poll