Një histori e trishtë vjen nga Korça, ku një familje me 5 anëtarë, sot i ka humbur para kohë 2 prej tyre. Vetëm pak ditë më parë, familja Callo humbi djalin 16 vjeç pas një sulmi në zemër.
Ndërsa rreth 15 vjet më parë, kryefamiljari u nda nga jeta pas një aksidenti teksa shiste bidonë me qumësht anës rrugës.
Kryefamiljarja tashmë jeton me dy fëmijët e tjerë, por skamja e ka kapluar këtë familje. Mes dhimbjes ajo rrëfen momentin tragjik të ndarjes nga jeta të të birit.
“Klarenti ishte shtrirë në divan, pastaj shkoi në tualet. Shkova ta shikoja, kishte mbyllur derën. Theu djali tjetër xhamin, ai mbaroi. Ai nuk ishte as sëmurë asgjë. Ishte djalë punëtor, i shkathët, me 10-ta në shkollë, i urtë, i qetë.”, tregon ajo.
Pesha e dhimbjes rëndohet kur nëna tregon se nuk ka të ardhura për të përballuar jetesën. Përkrahja sociale që ajo merr nuk i kalon 10 mijë lekë në muaj.
“Për mua është e vështirë. Mos kisha prindërit do kisha vdekur. Nuk shkova kur vdiq babi, nuk kisha lekë. Kushte të vështira, shtëpia ime nuk është. Dua vetëm një shtëpi mos më vdesin dy fëmijët e tjerë.
Gjithë tavani i rënë. Djali nuk me kthehet më, por të siguroj këta të dy. Vetëm një shtëpi të fus kokën. Jeta ime iku, vajta 50 vjet. 95 pension marr. Ç’të bëj? Nga e keqja. Shkolla m’i solli ushqimet”, thotë ajo.
Monika çdo ditë viziton vendin ku prehet i biri për të shuar sadopak dhimbjen. Ajo kërkon shpresë dhe forcë për të vijuar jetën, mes plagës së mungesës së djalit dhe bashkëshortit, të cilës i shtohet edhe varfëria e skajshme e familjes.







