Në një godinë të zakontë të Fierit fshihej një depo e vërtetë e rrezikut publik: mijëra kuti ilaçe të skaduara dhe kontrabandë, të gatshme për t'u hedhur në raftet e farmacive. Policia ka prangosur Bojken Bregovinën, një 42-vjeçar që kishte kthyer shtëpinë e tij në qendër të shpërndarjes së barnave të rrezikshme, duke vënë në pikë të hallit jetën e qindra qytetarëve shqiptarë.
Depo e fshehtë barnash të skaduara
Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan 1.635 kuti medikamente të skaduara dhe 2.654 kuti të tjera pa asnjë faturë tatimore produkte të dyshuara si të futura fshehurazi. Këto barna shpërndaheshin lirshëm në farmacitë lokale, pa verifikime dhe pa frikë nga pasojat. Bregovina, ish-punonjës si preseller (shitës ndërmjetës), në kompaninë “Trimed” të biznesmenes së njohur të shëndetësisë Vilma Nushi, shihet si hallka kryesore e një zinxhiri të dyshuar.
Nuk është rastësi: “Trimed”, tani në emër të nipit të Nushit, Endrit Hido, ka fituar tenderë të majme publike, ndërsa një kompani tjetër e saj mban koncesionin e Check-Up. Hetimet po zgjerohen për të verifikuar nëse farmaci të tjera janë të përfshira dhe sa thellë shkon kjo skemë.
Rreziku për qytetarët
Qytetarët blejnë pa e ditur ilaçe që mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme, në një treg farmaceutik ku kontrolli duket i dobët dhe interesat private dominojnë. Ky arrestim hap një kapak të zi të sistemit shëndetësor, ku shëndeti publik vidhet hapur nga rrjete të lidhura me tendera dhe koncesione. Autoritetet premtojnë hetim të plotë, por pyetja mbetet: sa larg do të shkojë drejtësia?/Versus.al

