
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e shëmtuar në Fier ku 3 vajza kanë dhunuar një 17-vjeçare, ndërsa pamjet e dhunës u bënë publike nga autoret në rrjetet sociale.
Fqinja e adoleshentes, ka rrëfyer për TCH, se 17-vjeçarja ishte kthyer në shtëpi më 8 qershor me shenja dhune, por fillimisht kishte tentuar ta fshihte atë që kishte ndodhur.
“U prekëm shumë. Unë e kam rritur atë. Ky muhabet ka që në datën 8 dhe mbush një muaj. Erdhi çupa e dhunuar, por nuk tregoi gjë për momentin. Ishte në kurs, doli nga kursi dhe dolën shoqet përpara, e rrahën. Erdhi në shtëpi me blana”, tregoi fqinja.
Ajo tha se vajza fillimisht i kishte thënë nënës se nuk ndihej mirë dhe se ishte goditur, por më pas, pas insistimit të familjes, kishte rrëfyer të vërtetën.
“E pyeti e ëma, tha isha sëmurë, bëra serum, u godita, nuk tregoi. Iu kundërvu e ëma dhe pasdite vonë tregoi. Mori çupën dhe bëri denoncimin në polici. Nga data 8 asnjë përgjigje nuk kanë marrë, u thoshin se e ka Prokuroria rastin”, u shpreh ajo.
Fqinja tha se dhuna ka lënë pasoja të rënda te 17-vjeçarja, e cila sipas saj është e frikësuar dhe reagon ndaj çdo zhurme.
“Vajza është me trauma. Është vajza e madhe e familjes, kanë tre fëmijë. Nuk është gjendje e mirë pas asaj që ka kaluar”, deklaroi ajo.
Sipas rrëfimit të fqinjës, vajza nuk i njihte agresoret, përveç njërës prej tyre që e kishte në shkollë.
Ajo tregoi edhe momentin kur e mitura ishte marrë nga vajzat e tjera me pretekstin se do të bënin një sqarim.
“‘Më thanë hajde se kemi një sqarim’, më tha vajza. E morën në shtëpi dhe e rrahën”, rrëfeu fqinja.
Pamjet e dhunës janë bërë virale në rrjet, por 17-vjeçarja, sipas fqinjës, nuk është në dijeni se videoja e sulmit ndaj saj është publikuar./Versus.al
View this post on Instagram

