
Tiranë- Janë identifikuar autorët që dhunuan avokatin e Sali Berishës, Sokol Mëngjesin gjatë ditës së djeshme në zonën e ish-bllokut.
Të rinjtë që shihni në foto, Dorian Alia, Drivald Alia dhe Elton Kasaj i zunë pritë Sokol Mëngjesit në dalje të kopshtit 31 ku avokati sapo kishte lënë djalin e tij dhe më pas e dhunuan duke e goditur disa herë me leva dhe grushte derisa humbi ndjenjat. Ndërsa Romario Tabaku largoi me makinë njërin prej autorëve.
Pas ngjarjes, autorët u larguan në këmbë në një rrugicë ku edhe i priste një automjet, ndërsa avokati u dërgua me urgjencë drejt spitalit ku raportohet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe mjekët e kanë futur në intubim.
Si pasojë e goditjeve, Mëngjesi ka pësuar dy hematoma në kokë. Një prej dëshimtareve që pa ngjarjen tha se dhunuesit e pritën avokatin derisa la djalin e tij në kopsht dhe më pas e dhunuan derisa e lanë pa ndjenja dhe në fund njëri prej tyre e shihte nga sipër para se t’ja mbathte nga vendngjarja.
Çfarë e solli dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi?
Ditën e djeshme u fol në media se shkaku i dhunimit të Sokol Mëngjesit lidhej me një çështje gjyqësore për prona. Së fundmi është zbardhur dhe dinamika e çështjes gjyqësore.
Mësohet se tetë trashëgimtarë, të përfaqësuar nga Sokol Mëngjesi, kanë fituar procesin gjyqësor për pronën. Fillimisht të gjithë kishin firmosur kontratë për pagesat që do i jepnin avokatit në rast se do të fitonin gjyqin. Por pas fitores së çështjes gjyqësore, 7 prej trashëgimtarëve i kanë dhënë paratë Mëngjesit dhe studios së tij ligjore, përveç Dritan Nanos.
Ndaj këtij të fundit, avokati hapi një gjyq, të cilin e fitoi dhe përmbarimi i bllokoi pronën Nanos duke mos e lejuar të vijojë shitja. Në këtë situatë, dyshohet se Dritan Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore për të kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhej të merrte.
Njëri prej dhunuesve, Dorian Alia është vetëdorëzuar në polici. Ndërsa tre të rinjtë e tjerë, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Romario Tabaku janë në arrati. Policia ka vënë në dispozicion 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për vendndodhjen e tyre. Ndërkohë 58 vjeçari Dritan Nano është ndaluar nga policia nën dyshimin si organizator i dhunës ndaj Mëngjesit.
Sokol Mëngjesi njihet si një prej avokatëve të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” si dhe avokat i Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos për çështjen e Inceneratorit të Tiranës.
Për aktin e djeshëm ndaj tij pati reagime të shumta si nga ana e Dhomës së Avokatisë ashtu edhe nga politika, ku deputetët gjatë një mbledhje në komisionin e Ligjeve, dënuan ngjarjen ndërsa Rithemelimi akuzoi kryeministrin Edi Rama si të përfshirë në ngjarje si hakmarrje ndaj avokatisë të Sokol Mëngjesit ndaj Sali Berishës. Versus.al







