Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Paulesh, ku një inxhinier humbi jetën gjatë kontrollit të punimeve në një urë në ndërtim.
Viktima është identifikuar si Guri Dashi, i cili ra nga lartësia teksa po inspektonte punimet në urën që po ndërtohet në aksin Lekaj–Elbasan.
Pas ngjarjes, policia ka arrestuar në flagrancë 64-vjeçarin Enver Hoxha, me detyrë drejtues teknik, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Guri Dashi, baba i dy fëmijëve të mitur, jetonte në Pogradec, ku kishte ndërtuar jetën e tij familjare.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 64 vjeç, me detyrë drejtues teknik, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi pasditen e djeshme, gjatë punës në kantierin e ndërtimit, në fshatin Paulesh, ka rënë nga lartësia dhe për pasojë ka humbur jetën inxhinieri, shtetasi G. D., 42 vjeç./Versus.al
