Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur dyshime të mëdha lidhur me rolin që ky institucion ka përsa i takon mbrojtjes së konkurrencës së ndershme në vend. Shkak për këto dyshime është bërë një vendim i publikuar disa muaj me vonesë ku provohet se institucioni i drejtuar nga Denar Biba ka vendosur të mbyllë hetimin paraprak ndaj Spitalit Amerikan dhe atij Ndërkombëtar (Hygeia), të dy të njohur si spitalet e biznesmenit Klodian Allajbeu.
Ky i fundit në mars të këtij viti u paraqit në SPAK ku raportohet të jetë pyetur lidhur me koncesionet në shëndetësi.
Hetimi u hap në prill të vitit 2025 dhe u mbyll në muajin korrik, por ky vendim është zbardhur vetëm së fundmi për publikun duke ngritur kështu rezerva mbi mënyrën sesi trajtohen çështjet e ndjeshme në sektorin e shëndetësisë.

Në dokument, Autoriteti i Konkurrencës pranon se dy spitalet dominojnë plotësisht tregun e shërbimeve spitalore private në vendin tonë me të ardhurat më të mëdha. Pavarësisht se në raste të tilla, duhet që këto institucione spitalore të jenë nën vëzhgim të rreptë për shkak të rrezikut të abuzimeve me çmimet, “Konkurrenca” ka menduar ndryshe.
Dokumenti i vulosur nga Denar Biba argumenton se pavarësisht dominimit nga këto dy spitale private, sjellja e tyre ka qenë “e mirë” duke ofruar zbritje çmimesh për kategori të caktuara personash. Megjithatë, kjo logjikë është krejtësisht e mangët pasi vetë institucioni pranon se qytetarët nuk kanë asnjë alternativë tjetër tregu dhe janë të detyruar të trokasin në dyert e këtyre spitaleve duke u lënë atyre pozitë dominuese. Qëndrimi i autoritetit rrit rrezikun e monopoleve në Shqipëri. Versus.al

