Një 42-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Torino, pasi akuzohet se ka kërcënuar me thikë disa fëmijë në një park publik. Ngjarja ndodhi në lagjen San Paolo, ku qytetarët raportuan praninë e një personi të armatosur me thikë që po kërcënonte kalimtarët.
Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe, pas një kontrolli fizik, gjetën tek i dyshuari një thikë 22 cm të gjatë. Sipas dëshmitarëve, ai kishte debatuar më parë me një grup të rinjsh dhe më pas kishte nxjerrë thikën, duke i kërcënuar.
Gjatë marrjes në pyetje, shqiptari deklaroi se ishte ndier i provokuar nga të rinjtë, të cilët, sipas tij, po bërtisnin dhe po silleshin në mënyrë të pahijshme pranë fëmijëve të tij.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet dhe kanë ngritur akuza për kanosje dhe armëmbajtje pa leje ndaj tij. Ndërkohë, ai është lënë në arrest shtëpie deri në përfundimin e procesit gjyqësor. /Versus.al/







