AKTUALITET /

Masakra me 3 të vrarë në Dobraç/ Bushati iu kundërpërgjigj autorëve, Hamza Lici me pistoletë te këmbët, përplasi të moshuarit në përpjekje për të shpëtuar

Gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar atentatit, Hamza Lici ka përplasur me mjetin e tij çiftin e të moshuarve që po udhëtonin me motor.

Shkruar nga Versus
Masakra me 3 të vrarë në Dobraç/ Bushati iu
Dy prej viktimave, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, foto nga vendngjarja e atentatit mafioz

Shkodër- Katër persona kanë marrë pjesë në organizimin e atentatit të djeshëm në Dobraç ku për pasojë humbën jetën Hamza Lici (vëllai i të shumëkërkuarit Ibrahim Lici), Flutura Basha një kalimtare e rastit dhe Arlind Bushati, dali i ish-kandidatit të PD për bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati. Ndërsa u plagos rëndë bashkëshorti i Flutura Bashës, Bashkim Basha.

E gjithë ngjarja e tipit mafioz është zhvilluar brenda 70 sekondave dhe autorët kanë hapur zjarr në breshëri për rreth 150 metra pasi qëlluan mjetin që drejtohej nga Hamza Lici. Në këmbët e këtij të fundit u gjet një pistoletë të cilën ka tentuar ta përdorë për t’u mbrojtur, por nuk ia ka dalë. Ndërsa viktima tjetër, Arlind Bushati u është kundërpërgjigjur autorëve me armë zjarri.

Dy prej autorëve kanë hapur zjarr drejt viktimave, ndërsa njëri prej tyre ka drejtuar mjetin tip “Range Rover” që u gjet i djegur pak orë pas ngjarjes. Më pas një tjetër person i ka marrë autorët nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen masakrën.

Viktimë e pafajshme e këtij atentati ishte e moshuara Flutura Basha e cila po udhëtonte me bashkëshortin e saj Bashkim Basha në një motomjet. Në momentin kur autorët kanë hapur zjarr ndaj makinës që drejtohej nga Hamza Lici, ky i fundit ka tentuar të manovrojë për t’ju shmangur të shtënave por gjatë manovrës, ka përplasur motorin me të cilin qarkullonte çifti i të moshuarve duke lënë të vdekur Flutura Bashën dhe të plagosur rëndë bashkëshortin e saj Bashkim Bashën.

Për ngjarjen u shoqëruan në polici 20 persona, mes të cilëve edhe Safet Bajri i cili njihet si kreu i “klanit Bajri” në Shkodër në konflikt të hershëm me fisin Lici. Ai tha në polici se në momentin kur ndodhi ngjarja, ka qenë me familjarët në shtëpinë e tij.

Si nisen përplasjet mes fiseve Lici dhe Bajri dhe saga e përgjakshme që nga 2018

Atentati i mafioz i ndodhur pasditen e djeshme, është vijim i përplasjeve mes dy grupeve Lici dhe Bajri në Shkodër, përplasje që ka regjistruar disa viktima. Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla.

Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.

Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana, ish-polic dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe fëmija 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri që aktualisht janë të arrestuar dhe po ashtu ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lul Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre.

Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustaf Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri, pas vrasjes së ish-policit Bërcana.

Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici, ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë.

Pa kaluar shumë ditë, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë, pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës.

Më 14 nëntor po 2018 vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”.

Në shtator të 2019, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, djali dhe nipi i viktimave të atentatit të së shtunës, u arrestuan në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë.

Një nga viktimat e djeshme, Hamza Lici, vëllai i Ibrahimit, i shtohet kësaj serie hakmarrëse të nisur prej shumë vitesh dhe që duket se nuk do të gjendet paqe as qetësi mes tyre. Versus.al

Poll