Rexhep Ademi, banor i Golemit të Kavajës, ka nisur këtë të mërkurë një grevë urie përpara Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar drejtësi për familjarët e tij të vrarë dhe pronat e kërcënuara.
Me tre pankarta të personalizuara, ku figurojnë emrat e të afërmve që nuk jetojnë më, Ademi shprehet se do të kërkojë drejtësi deri në fund. Ai thotë se nënën dhe dajën e tij ia kanë vrarë për pronat, ndërsa tani kërcënohet edhe shtëpia e tij.
Në një nga pankartat e tij, shfaqet edhe prona e rrethuar që pretendohet të prishen. Ademi deklaron:
“I vdekur që i vdekur jam… Nënën ma vranë, dajën ma vranë, pronat i kam vuajtur, shtëpinë duan të ma prishin. Tani, do të bëjmë konflikt dhe ose do hyjmë në burg, ose do vritemi. Më mirë vdes këtu. Do bëj grevë këtu në rrugë, deri në vetëflijim.”
Ai kërkon nga drejtësia të hetojë vrasjen e Selman Ismailit dhe tentativën e vrasjes së Sheko Qerim Ademisë, duke theksuar se rastet e familjes së tij përfshijnë një tentativë vrasjeje dhe një vrasje të klasifikuar si vetëvrasje nga autoritetet.
Ademi pretendon se të gjitha këto krime janë kryer nga personat që i kanë grabitur pronën dhe shpreh besimin e tij të fundit tek Prokuroria e Posaçme, duke kërkuar që ajo të bëjë drejtësi.


