
Një incident i rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në linjën urbane Durrës–Plepa (Plazh), ku një autobus është përfshirë nga flakët ndërsa ishte në lëvizje.
Ngjarja ka ndodhur pranë sektorit të Hekurudhave, kur autobusi po transportonte pasagjerë. Sipas raportimeve, fillimisht është vënë re tymi që dilte nga pjesa e pasme e autobusit, duke shkaktuar panik mes udhëtarëve.
Fatmirësisht, shoferi ka reaguar në kohë dhe ka ndaluar mjetin, duke mundësuar evakuimin e udhëtarëve pa pasoja për jetën e tyre.
Për në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, të cilët arritën të neutralizojnë flakët, por autobusi ka pësuar dëme të mëdha dhe është djegur plotësisht. Sipas informacioneve të deritanishme, nuk ka pasur të lënduar, ndërsa dëmet janë materiale. Pritet që një ekspertizë të kryhet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, që dyshohet të jenë të lidhura me një defekt teknik./Versus.al







