Profesoreshë doktoreshë Shqiponja Telhaj ka reaguar pas lajmeve të publikuara në lidhje me përmendjen e emrit ë saj në media lidhur me dosjen e Kolegjit Arsimor Wisdom. Emri i Telhaj, përmendej në dosjen e Prokurorisë së Tranit, si zyrtarja që i ishte dhënë dhuratë një çantë e markës Luis Vuitton në vlerë 1200 euro, në këmbim të nxitjes dhe përfundimit të akredimit si institucion i arsimit të lartë të Kolegjit Arsimor Wisdom.
Telhaj ka zgjedhur që reagimin e saj ta bëj publik në rrjetin social Facebook, ku shkruan;
“Shqiponja (Aquila) Telhaj nuk ka pire kurre as edhe nje kafe e nuk ka pranuar kurre asnje dhurate nga asnje perfaqesues i universiteteve te huaj apo shqiptare. Pres qe autoritetet zyrtare dhe mediat qe kane permendur emrin tim pa asnje fakt ne lidhje me dosjen e universitetit Wisdom (perfaqesuesit e te cilit nuk ia kam njohur ndonjehere) te kerkojne falje per shpifjet.”
Znj. Telhaj, Versus.al që zbardhi dosjen ju kërkon shumë ndjesë nëse ju ka shqetësuar. Por, asnjë nga ne nuk e heq dot emrin tuaj nga dosja hetimore. Episodi të cilin ju e përgënjeshtroni përmendet dy herë në dosjen hetimore.
Herën e parë në faqen 80 “shkarazi” si episod i adresuar në emrin Aquila Telhaj, zyrtares që mori një çantë 1200 euro dhuratë, ndërsa më tej në faqen 217 mësohet se çanta ishte model Bauleto Speedy 35, mësohet vlera e blerjes e mënyra e pagesës.
Nuk i ka dhënë media shqiptare deklarimet (qofshin dhe të rremë) pranë autoriteteve hetimore të Tranit, i kanë dhënë dy bashkëpunëtorët që kishin blerë dhe kishin akredituar Kolegjin Arsimor, i cili në vendin tonë tani po kontrollohet e verifikim për aktivitetin e tij mbi faktin se jepte diploma false që “nuk pinin ujë”.
Mediat ishin lajmësi i kësaj “çorbe” që natyrisht nuk u “gatua’ nëpër redaksitë tona. E në këtë “çorbë”, në urojmë që vërtetë mos ta keni “gëlltitur atë lugën e prishur që e vjell gjithë jetën”… Falje të pranuara?







