
Mariglen Koroveshaj, shefi i stacionit policor në Roskovec ka rrëfyer për mediat momentet e ankthit gjatë pengmarrjes së 24 vjeçares Rozalinda Plaka nga ish-i fejuari i saj i cili i kishte vrarë prindërit.
Ai tha se Refit Buzi i kishte kërkuar atij personalisht të afrohej për të negociuar i paarmatosur. Ndërsa shtoi se në momentin kur kishte qenë vetëm 2 metra larg 35 vjeçarit ky i fundit i kishte bërë thirrje të mos afrohej ose ndryshe do të vriste veten.
“E telefonuam autorin për të bërë negociatat dhe për të mësuar vendndodhjen. Kemi kontaktuar për disa orë deri në momentin që u bind dhe kërkoi që unë personalisht të ofrohesha në vendin ku ndodhej së bashku me pengun.
Më pas në mbikëqyrjen e forcave kombëtare të sigurisë që rrethuan perimetrin e zonës, unë jam afruar sipas kërkesave të autorit. U afrova pranë automjetit dhe sërish refuzonte ta dorëzonte vajzën pasi e shikonte si garanci për të mos i ndodhur gjë.
Autori më kërkoi që të afrohem i paarmatosur dhe vetëm. E kam zbatuar kërkesën e autorit dhe në atë moment sërish kërkoi të shihte nëse ishte apo jo i armatosur. Dhe e zbatova kërkesën e tij pasi nuk donim të agravohej sepse qëllimi ynë ishte shpëtimi i jetës. Distanca më e afërt që jam afruar ka qenë rreth 2 metër dhe në atë moment më tha mos u afro më shumë se do vras veten. Jam tërhequr dhe kam bërë negociatat derisa është bërë e mundur që autori të lironte pengun. Ishte një moment i rrezikshëm. Në ato momente mendon si të shpëtosh një jetë njeriu, çdo sekondë është vendimtare. ”- tha polici mes të tjerash duke treguar se e reja kishte dëmtime si pasojë e dhunës. Versus.al


