
Dorian Alia, 32 vjeçari i lënë në burg për dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi një javë më parë, është shfaqur i penduar në gjykatën e Tiranës ku ka kërkuar edhe ndjesë ndaj të afërmve të avokatit për ngjarjen e ndodhur.
“Kërkoj ndjesë për veprimin e pakontrolluar dhe impulsiv ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. I kërkoj ndjesë familjes së tij në veçanti fëmijëve të tij, por edhe opinionit dhe shoqërisë që u prek shumë nga ngjarja. Askujt mos i ndodhtë një situatë e tillë”, mësohet të jetë shprehur Dorian Aliaj.
I riu ka marrë përsipër i vetëm ngjarjen duke treguar se shkak për dhunën barbare ndaj avokatit është bërë takimi me tone të ashpra që ky i fundit kishte pasur me vjehrrin e tij, Dritan Nano në muajin shkurt.
“Qëndrova në distancë dhe ndoqa bisedën me tone jo të përshtatshme nga ana e avokatit për pretendimet e ngritura për pagesat mbi përfaqësimin e kryer. Euforia e moshës, sedra e prekur dhe gjaknxehtësia, më çuan në reagimin e papërmbajtshëm dhe aspak të hijshëm dhe në momentin kur e kuptova situatën u vetë-dorëzova në polici”, mësohet të jetë shprehur Dorian Alia.
Ndërkohë, tre bashkëpunëtorët e tij, Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku janë ende në kërkim. Për këdo që ofron informacion mbi vendndodhjen e tyre, policia ka vendsur shpërblimin prej 20 mijë eurosh. Versus.al







