
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme.
Ende nuk dihet arsyeja e paraqitjes së tij, por dyshohet se do të pyetet lidhur me denoncimet që ka bërë për Inceneratorin e Tiranës dhe aferën “5D” në kuadër të të cilës u arrestuan disa drejtorë që kishin kryer shkelje me abuzimin e fondeve publike në bashkinë e kryeqytetit.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ku qëndroi për rreth gjysmë ore. Në dalje për mediat ai tha se kishte dhënë deklaratë pyetje-përgjigje mbi denoncimin e bërë nga ana e tij për atë që njihet si “afera 5D” në bashkinë e Tiranës.
Ai tha se kishte kërkuar nga SPAK që të thellonte hetimin për aferën pasi paratë e përfituara prej drejtorëve sipas tij janë përdorur në fushatë elektorale.
“Rezulton që paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga drejtorët e bashkisë, janë përdorur në fushatë elektorale. Kam kërkuar që SPAK të thellohet në hetimin e kësaj dosje që është një rast spektakolar vjedhje. Të sekuestrohen asetet e përfituara nga këta hajdutë dhe t’i kthehen shtetit. Mesa kuptova SPAK po vijon të hetojë dhe uroj që hetimi të përfundojë një orë e më parë”- u shpreh Këlliçi.
Më tej ish-kandidatin për kreun e bashkisë Tiranë, paralajmëroi Veliajn duke i thënë se nuk do të gjejë qetësi pa dalë para drejtësisë, ndërsa kritikoi SPAK-un për hetimet e inceneratorit të Tiranës.
“I ashtuquajturi “koleg i SPAK” Erion Veliaj nuk do gjejë qetësi pa shkuar para ligjit. Vijoj ta kritikoj SPAK-un për Inceneratorin e Tiranës kur ende paguajmë 80 mijë euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston. Dhe ende SPAK ka frikë të përmende emrin e Erion Veliajt kur dihet se është personi përgjegjës kryesor”- shtoi Këlliçi.
Për aferën në arrest me burg aktualisht janë ish-drejtorët Mariglen Qato dhe Redian Molla. Këtij të fundit, SPAK i ka sekuestruar edhe një hotel në ndërtim në Durrës pranë zonës së Vollgës. Versus.al







