Belgjikë- Gjyqi në Bruksel ndaj Franc Çopjas alias Gergely i njohur si kreu i klanit “Çopja” që trafikonte drogë nga Amerika Latine, është ndërprerë për shkaqe të pazakonta. Shkak është bërë prania e morrave në sallën e gjykatës së krimeve të rënda.
Të hënën në mëngjes, një prej anëtarëve të jurisë vuri re se një plesht i ishte ngjitur në krahun e tij. Kur seanca dëgjimore rifilloi pas drekës, kryetarja e trupit gjykues vendosi të ndërpriste seancën për 24 orë në mënyrë që të merreshin masa sa i takon dezinfektimit të ambientit.
"Kjo po shkon shumë larg," u shpreh kryetarja e trupit gjykues Isabelle de Saedeleer, duke iu referuar problemeve të shumta me të cilat përballet vazhdimisht sistemi ligjor. "Nuk dua të rrezikoj jurinë, avokatët, të pandehurit apo këdo tjetër." Gjykata i këshilloi të gjithë të përfshirët të lajnë rrobat e tyre në 60 gradë Celsius ose t'i fusin në frigorifer.
Procesi gjyqësor ndaj Çopjas po zhvillohet për vrasjen e Ardit Spahiut në një rrugë të Brukselit më 27 nëntor 2021, shkruajnë mediat vendase. Sipas prokurorëve, vrasja u krye për larje hesapesh mes dy anëtarëve të organizatës kriminale.
Franc Çopja akuzohet edhe për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine drejt Belgjikës dhe vendeve të tjera të Evropës. Zbardhja e përgjimeve në SkyEcc zbuloi sesi ai prdorte lidhjet e tij shqiptare në Amerikën Latine për të trafikuar tonelata me kokainë e heroinë. Versus.al


