
Gazetari Osman Stafa është kërcënuar me jetë pas denoncimit të tij mbi atë që e quajti masakrën mjedisore më të madhe që po ndodh në lumin Shkumbin.
Osman Stafa tha se dy persona në rrugën Elbasan-Librazhd, e kanë ndaluar teksa investigonte krimin mjedisor të gërryerjes së lumit Shkumbin për inerte fundjavën e kaluar.
““Sapo dola nga rruga pashë një makinë fuoristradë e zezë të afrohej pas meje. Makina më kishte parakaluar në fillim, 200 metra më tej me fushëpamje që të ndiqte veprimet e mia.
Në momentin që kaluan ata më panë kush isha, panë makinën dhe logon. Ata nuk patën qëllim parakalimin, por të kalonin direkt para makinës time dhe për të kërcënuar.
Kaloi duke ma bërë me drita. Ndalova dhe unë se ndryshe do përplaseshim. Nuk dola nga makina, pashë dy persona te makina tjetër. Më pas kam vijuar rrugën dhe më kanë ndjekur për 1 kilometër dhe derisa i humba”, vijoi ai.
Gazetari tha se më parë kishte marrë mesazhe nga banorët për gërmimet që po bëhen në lumin Shkumbin.
“Shkova nga Tirana në Hotolisht se mora mesazhe se atje kanë ulur malin, e kanë bërë fushë. Nga aty për në Elbasan, ku pashë gjurmën ku kalonte rruga, për të parë se çfarë bëhet aty. këta çfarë marrin e derdhin po në Shkumbin.
Në rrugën Librazhd-Elbasan pashë një eskavator që merrte inerte në mes të lumit Shkumbin dhe në mes të ditës.
Unë doja të kisha të filmuar aktin e marrjes së inerteve nga eskavatori në kamion. Erdhi ky për telefonin tim që filmova dhe e çova në polici”, rrëfeu gazetari.
Osman Stafa tha se si njeri që beson e institucionet, iu drejtua policisë me denoncim, duke dorëzuar edhe filmimet.
Por mesa duket autorët u larguan dhe në Komisariat u dërguan nën presion apo detyrim persona të tjerë që nuk kishin lidhje me ngjarjen.
“Shikoni çfarë bëhet aty në pamje, në mes të ditës, mbushen kamionët me inerte në Shkumbin, aty nuk mbajnë të dyja anët e rrugës, është e ndaluar të merret. Unë do i ndjek krimet mjedisore, nuk e lë”, tha Stafa./Versus.al

