AKTUALITET /

Precedent i rrezikshëm, Gjyqtari Flamur Kapllani censuron mediat për llogari të biznesmenit Dionis Teqja

Nga pikëpamja ligjore, askush nuk mund të guxojë ta konsiderojë lajmin të pavërtetë. Aq më tepër një gjyqtar, i cili nuk mund as ta mendojë të hedhë poshtë një lajm që është afishuar nga vetë gjykata ku ai punon.

Shkruar nga Versus
Precedent i rrezikshëm, Gjyqtari Flamur Kapllani censuron mediat për
Gjyqtari Flamur Kapllani, biznesmeni Dionis Teqja

Një letër e çuditshme, e paprecedentë më parë, është shpërndarë sot në redaksitë e disa mediave, kryesisht online. Një gjyqtar i quajtur Flamur Kapllani kërkon heqjen e një lajmi për llogari të biznesmenit Dionis Teqja. Me një vendimin e tij, gjyqtari e quan këtë “sigurim padie”.

Historia është kjo: Dionis Teqja, një biznesmen i njohur, jo fort për mirë kohët e fundit, është paditur nga ortakët e tij në gjykatë. Procesi gjyqësor nuk zhvillohet, pasi Teqja nuk paraqitet. Gjykata detyrohet të afishojë shpalljen për të paditurin. Gazetarët që ndjekin informacionet nga gjykata e shohin këtë shpallje dhe raportojnë lajmin. Ai përhapet shpejt me tituj pak a shumë të ngjashëm: “Shpallet në kërkim biznesmeni Teqja”.

Profesionalisht, dikush mund të argumentojë se titulli është abuziv. Por, përpara se ta bëjë këtë, duhet të gjejë termin e saktë juridik për shpalljen e gjykatës. Ky është një debat profesional, që nuk prek vërtetësinë e lajmit dhe aq më pak nuk mund ta rrëzojë atë.

Nga pikëpamja ligjore, askush nuk mund të guxojë ta konsiderojë lajmin të pavërtetë. Aq më tepër një gjyqtar, i cili nuk mund as ta mendojë të hedhë poshtë një lajm që është afishuar nga vetë gjykata ku ai punon.

Këtu lindin disa probleme serioze. I pari dhe më thelbësori lidhet me lirinë e medias. A mund të ndodhë që një lajm të hiqet nga të gjitha mediat me vendim gjykate, jo sepse është i pavërtetë, jo sepse ekziston një vendim përfundimtar për shpifje, por thjesht “për sigurim padie”? Çfarë do të ndodhte nëse precedenti i Flamur Kapllanit do të kthehej në normë? A do të ekzistonin më lajmet, apo do të hiqeshin të gjitha me “sigurim padie”? Nëse nesër ndodh një vrasje dhe autori dërgon avokatin në gjykatë për të bllokuar çdo raportim mediatik, çfarë mbetet nga e drejta e publikut për t’u informuar?

Pyetje të tjera lindin për ekspertizën që Flamur Kapllani ka në këtë fushë. A i njeh gjyqtari kriteret që duhet të përmbushë një lajm? A u konsultua ai me ndonjë ekspert të medias? A dëgjoi palën e paditur apo i besoi verbërisht paditësit? Nëse i besoi vetëm paditësit dhe, pa dijeninë e të paditurve, nxori një vendim të tillë, për çfarë arsyesh e bëri?

Në fakt, këto janë pyetje retorike, që lindin kur një gjyqtar, i cili ka kaluar edhe vettingun cënon lirinë e fjalës dhe kërkon heqjen e lajmeve të vërteta në interes të një pale private.

Precedent i rrezikshëm, Gjyqtari Flamur Kapllani censuron mediat për

Si përfundim, mediat kanë vendosur të mos e heqin lajmin. Të njoftojnë organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias për këtë skandal. T’i kërkojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të hetojë vendimmarrjen e gjyqtarit Flamur Kapllani. Dhe në fund, ta ftojnë Dionis Teqjen të reflektojë dy herë: së pari për procesin gjyqësor ku është paditur nga ortakët e tij dhe që po e bllokon me mungesën e tij; së dyti, të sjellë një përgënjeshtrim publik në media, nëse pretendon se lajmi është i pavërtetë. 

Poll