AKTUALITET /

Qeveria rikthen bastet sportive: Do jenë vetëm online! 10 licenca në dispozicion, rregulla të reja për lojtarët

Shkruar nga Versus

Qeveria rikthen bastet sportive: Do jenë vetëm online! 10 licenca

Pas 28 muajsh të hyrjes në fuqi të ligjit, qeveria plotëson kuadrin ligjor që i hap rrugën basteve online. Ende nuk ka një afat për hapjen e konkurrimit të kompanive për marrjen e licencës, por janë bërë publike disa hapa. Bastet do të lejohen vetëm online dhe përmes identifikimit me kartë ID.

Ligji në fuqi parashikon dhënien e 10 licencave, por ende nuk ka një afat se kur do të hapen thirrjet për të aplikuar. Procedurat konkurruese për dhënien e licencave do të organizohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Komisioni i Licencave dhe sekretariati teknik.

Me kuadrin e ri ligjor, bastet sportive online do të mund të luhen vetëm nëse përdoruesit regjistrohen në sistem me kartë identiteti. Do të ketë mekanizma për gjurmimin e çdo veprimi të përdoruesit dhe për llogaritjen e fitimeve.

Kushtet që duhen plotësuar për të aplikuar për licencë:

- Kompania duhet të ketë kapital themeltar 40 milionë lekë.

-subjekti aplikues ose të paktën njëri prej aksionarëve të tij duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet. Nëse përvojën në fushën e lojërave të fatit e ofron njëri prej aksionarëve të subjektit aplikues, ai duhet të zotërojë jo më pak se 30 për qind të aksioneve në shoqëri.

-subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit

Gjithashtu organizatorët e basteve sportive online janë të detyruar të ngurtësojnë një fond prej 120 milionë lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Kjo rihapje e basteve sportive online vjen rreth 7 vite pas aksionit “Fundi i Marrëzisë’ që nisi në 1 janar 2019 duke mbyllur 4214 pika bastesh në vend. Versus.al

Poll