AKTUALITET /

Shtyhet sërish seanca paraprake për “Partizanin”, Gjokutaj: Strasburgu ka kaluar për diskutim çështjen e Berishës

Shkruar nga Versus
Shtyhet sërish seanca paraprake për “Partizanin”,
Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi

Tiranë- Seanca paraprake e planifikuar për t’u mbajtur sot për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe 4 të pandehurit e tjerë për aferën Partizani, është shtyrë për në datën 16 dhjetor në orën 11:00.

Kështu u shpreh avokati i Berishës Genc Gjokutaj i cili tha se vendimi u mor me kërkesën e bërë nga subjektet e tjera nën hetim për shkak të volumit të lartë të dosjes me 160 mijë faqe. Ndërsa dha lajmin se Gjykata e Strasburgut ka kaluar për diskutim çështjen e Berishës dhe u ka dërguar kërkesë për informacion institucioneve shqiptare.

“Jemi njoftuar se gjykata e Strasburgut ka kaluar në fazën e debatit cështjen e Berishës si prioritare dhe i ka drejtuar pyetje shtetit shqiptar për veprimet e parregullta ligjore të bëra ndaj tij”- tha Gjokutaj.

Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar pasi refuzoi të respektonte masën “detyrim paraqitje” të cilën ia kishte caktuar GJKKO lidhur me hetimet për aferën Partizani. Ai akuzohet për korrupsion pasiv duke ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore që t’i vinin në ndihmë nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportive “Partizani”, një prej tyre edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Ky i fundit  akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin partizani që i solli familjes miliona euro përfitime. Në dosjen e përpiluar nga SPAK, ndaj Malltezit është ngritur edhe akuza e pastrimit të parave.

Te pandehurit e Dosjes 'Partizani'

Sali Berisha ish kryeministri – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish kryeministrit – akuzohet për  “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe per “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal

Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet  “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'

Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashegimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan'  akuzohet për 'Pastrim Parash'

Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k -  Akuzohet për 'Pastrim Parash' . Versus.al

Poll