AKTUALITET /

"S'përputhen me të ardhurat", prokuroria kërkon sekuestron e pasurive të anëtarit të organizatës kriminale (EMRI)

Elton Arkaxhiu, dyshohet se ka ngritur pasurinë e tij nëpërmjet të ardhurave që ka siguruar me veprimtari të paligjshme.

Shkruar nga Versus

"S'përputhen me të ardhurat", prokuroria kërkon

Tiranë- Prokuroria e kryeqytetit ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të një personi të identifikuar si Elton Arkaxhiu i cili rezulton të ketë qenë i dënuar në Francë për trafik droge dhe pastrim parash. 

Sipas hetimeve, deklarimet e Arkaxhiut për pasurinë, nuk përputhen me burimet financiare të të ardhurave. 

Kërkohet sekuestrimi i dy bizneseve që ish-i dënuari ka në rrugën "Myslym Shyri" dhe të një toke truall në kryeqytet. 

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Tiranës kërkon sekuestrimin e pasurive të shtetasit E.A. i dënuar në Francë për ‘Trafikim i lëndëve narkotike’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon sekuestrimin e pasurisë së shtetasit E.A., bazuar në ligjin për ‘Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’.

Në kuadër procedimit pasuror nr.3, datë 23.12.2024, nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasi E.A., ka qenë i dënuar në Francë për veprën penale të ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’, ndërkohë që në vitin 2011 rezulton i proceduar penalisht për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Zyra e Interpolit ka konfirmuar se shtetasi E.A., nga verifikimet e kryera nga Interpol Francë, rezulton se në atë periudhë ka qenë subjekt i procedurave të pjesëmarrjes në organizatë kriminale me subjekt kryesisht të trafikut ndërkombëtar të drogës, përdorimit te produkteve narkotike, importimit të mallrave kontrabandë dhe mallrave që paraqesin rrezik për jetën, etj.

Prokuroria nga hetimi arriti në përfundim se ka mospërputhshmëri të burimit të financimit (të ardhurave + huamarrje) me pasuritë e dokumentuara.

Paraprakisht nga informacionet e siguruara në rrugë operative janë identifikuar pasuritë e paluajtshme, blerja e të cilave nuk justifikohet me të ardhurat e këtij shtetasi dhe të familjarëve të tij deri në vitin 2020 dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e shtetasit të sipërpërmendur dhe konkretisht:

·         Bar- kafe “Rio”, që ndodhet në rrugën “Besim Imami”, në afërsi të karburant “Alpet” në rrugën “Myslym Shyri”. Ky biznes është me një sipërfaqe totale 108 m², e blerë në datë 21.10.2005; dhe

·         Një ambient biznesi në rrugën “Besim Imami”, në afërsi të karburant  “Alpet”, në rrugën “Myslym Shyri”. Ky ambient aktualisht përdoret si Qendër SPA.

Për këto arsye, në bazë të neneve 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, 

Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:

1 – Pasuri e llojit truall, me sip.71.52m2 dhe ndërtesë 37.52m2 në Tiranë;

2 – Pasurinë njësi shërbimi 108m2 me vendndodhje Rr. Besim Imami; dhe

3 – Pasurinë njësi shërbimi 63m2 në Rr. Besim Imami. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: