AKTUALITET /

Tragjedia në Maliq, reagimi: Bashkia do të mbulojë të gjitha shpenzimet

kryebashkiaku Gëzim Topçiu shprehu ngushëllimet për familjen e viktimave

Shkruar nga Versus

Tragjedia në Maliq, reagimi: Bashkia do të mbulojë të gjitha

Pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Maliqit, ku humbën jetën nëna Merjeme Azizllari dhe djali i saj 14-vjeçar, L. Azizllari, si pasojë e asfiksisë nga tymi në banesën e tyre, ka ardhur reagimi zyrtar nga Kryetari i Bashkisë së Maliqit.

Përmes një deklarate në rrjetet sociale, kreu i bashkisë e cilësoi tragjedinë si “tronditëse” dhe shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimave.

“Në këto momente dhimbjeje të thellë, Bashkia e Maliqit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe qëndron pranë tyre në këtë situatë kaq të rëndë. Ngjarje të tilla na kujtojnë sa e brishtë është jeta dhe sa e rëndësishme është të jemi pranë njëri-tjetrit në ditë të vështira,” – shkruhet në reagim.
Ndërkohë, burime pranë institucionit vendor kanë bërë të ditur se Bashkia e Maliqit do të mbulojë të gjitha shpenzimet që lidhen me këtë ngjarje tragjike.

E vetmja e mbijetuar e familjes, vajza e vogël 6-vjeçare, ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe është transportuar me urgjencë drejt QSUT-së në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar për shkak të djegieve të shumta në trup.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën e 19 tetorit, rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3 të Maliqit. Fillimisht u raportua se tre anëtarët e familjes ishin plagosur, por pak orë më vonë u konfirmua se nëna kishte ndërruar jetë në vend si pasojë e asfiksisë, ndërsa djali i madh ndërroi jetë në spital.

Shërbimet zjarrfikëse dhe policia mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët.

Grupi hetimor po punon nën drejtimin e Prokurorisë për të përcaktuar rrethanat e tragjedisë që i mori jetën dy anëtarëve të një familjeje të varfër dhe vuri në rrezik jetën e një fëmije të vogël.

Poll