
Tiranë- Jamarbër Malltezi është paraqitur sot në Apelin e Gjykatës së Posaçme vetëm dy ditë pasi u mor i pandehur zyrtarisht nga SPAK nën akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave në çështjen e njohur si “afera e privatizimit të ish-kompleksit Partizani”.
Malltezi, në seancën e sotme kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” që i është caktuar që prej nëntorit të vitit të kaluar si dhe informacion deri ku kanë arritur hetimet për çështjen e aferës "Partizani".
Seanca e sotme në GJKKO zhvillohet edhe për kërkesën e vjehrrit të tij, ish-kryeministrin Sali Berisha i cili po ashtu u mor i pandehur nga SPAK nën akuzën e korrupsionit pasiv, nën arsyetimin e të cilës mbahet në arrest shtëpie që prej dhjetorit të vitit të kaluar.
Të mërkurën Sali Berisha u paraqit në SPAK për të marrë akuzën zyrtare nga prokurorët ndërsa jashtë ambienteve të institucionit u zhvillua një protestë e mbështetësve të tij të cilët kërkonin lirimin e kryetarit të PD nga akuzat dhe nga arresti shtëpiak. Për mediat, kryedemokrati e cilësoi hetimin ndaj tij si të urdhëruar politikisht nga kryeministri Edi Rama ndërsa konfirmoi se pavarësisht masës së arrestit ndaj tij, do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Versus.al







