
Një çështje gjyqësore për pronat dyshohet të jetë bërë shkak për dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi, ditën e sotme në zonën e ish-bllokut.
Versus.al mëson se Mëngjesi përfaqësonte një biznesmen në një çështje pronash dhe personat që e kanë goditur me sende të forta dhe me grushte, dyshohet të jenë pala tjetër.
Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, mësohet se autorët kanë qenë tre persona të pa maskuar të cilët sapo e kanë parë në rrugë e kanë sulmuar duke e qëlluar me leva dhe grushte. Mëngjesi ka pësuar fraktura të rënda në kokë dhe trup.
Por kush është Sokol Mëngjesi dhe në cilat çështje të bujshme përmendet emri i tij si avokat?
I diplomuar për Drejtësi në Fakultetin Democritus në Greqi Mëngjesi më pas mori tiullin “Doktor i Shkencave Juridike” në vitin 2012. Nga periudha 2005 deri në 2008, mëngjesi ka qenë pedagog i Jashtëm në Departamentin e të Drejtës Penale.
Nga viti 2009, Mëngjesi ka marrë licencën e avokatit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë Shqipëri, ndërsa është edhe një prej mbrojtësve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Mëngjesi gjithashtu është një prej avokatëve mbrojtës të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit në dosjen e Inceneratorit të Tiranës.







