
Rreth 12 masa sigurimi u lëshuan ditën e sotme nga Prokuroria e Sarandës, për zyrtarë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Sarandë, punonjës të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe biznesmenë në fushën e ndërtimit, në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.304 të vitit 2026.
Sipas vendimit të zbardhur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, 4 prej masave u ekzekutuan, konkretisht:
B.T, me detyrë ish Shefi i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisatriatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës kryer më shumë se një herë;
K.S, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;
K.SH, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;
A.P, pronar i Hotel “Oasis” ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’.
Aktualisht po punohet për ekzekutimit edhe të 8 masave të tjera të caktuara.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisatriatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës.Versus.al

