Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur sot në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” të cilën GJKKO ia caktoi më 23 tetor nën akuzë për 3 vepra penale. Ajo kaloi e heshtur para gazetarëve duke mos dhënë asnjë koment, ndërsa u fut në ambientet e SPAK. Ndërsa në dalje ajo ironizoi kryeministrin Edi Rama dhe tha para mediave se shumë shpejt do të publikojë të vërtetat e saj duke pretenduar për shkelje ligjore nga ana e SPAK.
“Unë jam një individ, aq më shumë dhe një politikane që vendos të përballem edhe me padrejtësinë që bëhen. Sigurisht unë po bëj komplet mbrojtjen time ligjore sa i përket pretendimeve që ka ngritur SPAK ndaj meje. Kam konstatuar dhe evidentuar një sërë shkeljesh ligjore të konsumuara nga organi i akuzës. Normalisht edhe ju do të njiheni me to dhe do të njiheni me të vërteta e “Monika këmbësores” dhe të satelitëve të Shqipërisë. Duroni dhe do të informoheni për të gjitha sepse edhe ky është një proces i cili kërkon sistemin e vet të zbatimit të gjërave dhe në fund të fundit për të treguar se sa i vërtetë është i gjithë procesi dhe se sa realë dhe se sa qëndrojnë faktet.”- tha Kryemadhi duke mohuar të ketë pasur kontakt me Ilir Metën që pas arrestimit të tij.
Të shtunën Kryemadhi dorëzoi me postë ankimin kundër vendimit të GJKKO në 23 tetor që i caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nën akuzën e 3 veprave penale. Versus.al








