
Një konflikt i nisur për një borxh prej 100 eurosh ka përfunduar me kërcënim me armë në një lokal në rrugën “Myslym Keta” në Tirana, duke çuar në arrestimin e një 50-vjeçari nga policia.
Sipas pamjeve filmike të publikuara nga autoritetet, shtetasi Agim Visha i është afruar 38-vjeçarit që ndodhej në një lokal për t’i kërkuar shumën e borxhit. Fillimisht mes tyre ka pasur një debat verbal me fjalë fyese, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar kur 38-vjeçari e ka goditur me shpullë.
Në atë moment, 50-vjeçari ka nxjerrë një armë zjarri dhe e ka kërcënuar, duke krijuar panik në ambientin e lokalit.
Policia bën me dije se Agim Visha rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa pas ndërhyrjes është arrestuar në kuadër të hetimeve për ngjarjen.
Sipas deklarimeve paraprake, 38-vjeçari ka pranuar ekzistencën e borxhit, por ka pohuar se nuk kishte ndërmend ta shlyente në atë moment. Hetimet për rastin vijojnë.
View this post on Instagram
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Responde”.
Tentoi të vriste me armë zjarri, një 38-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë pas ngjarjes dhe arrestohet 50-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë me mulli) me municion.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se në rrugën “Myslym Keta”, po konflikteshin dy shtetas, njëri prej të cilëve mbante armë zjarri, kanë organizuar punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Respond”, u arrestua shtetasi A. V., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se pasditen e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali, në rrugën “Myslym Keta”, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin I. D., 38 vjeç, dhe ka tentuar ta vrasë atë, me armë zjarri pistoletë me mulli, që e mbante pa leje.
Shtetasi A. V. ka tentuar të largohet, por është kapur dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme./Versus.al

