Reshjet e shumta të shiut në të gjithë Shqipërinë kanë sjellë probleme të mëdha.
Por situata më dramatike duket në Vlorë, ku uji ka pushtuar gjithë qytetin, ku mungon energjia elektrike dhe rrugët janë të bllokuar, ndërsa qindra njerëz kanë mbetur të izoluar nëpër bizneset e tyre.
Por në zonën e Topanës në qytetin bregdetar uji ka formuar një rrjedhë të fuqishme, duke marrë me vete dhe një grua. Siç edhe duket në pamjet e bëra publike në rrjet nga JOQ, një grua rrëmbehet nga uji, e cila edhe pse mundohet të kapet diku, rrjedha e fortë e ujit e merr me vete.
Ndërkaq në hyrje të Vlorë, qindra makina janë bllokuar nga uji, duke krijuar një situatë kaotike.
I gjithë qyteti i Vlorës është nën pushtetin e ujit, ku në zona të ndryshme thellësia shkon edhe deri në 1 metër.
Reshjet kanë përmbytur rrugët, biznese dhe godinën tek pediatria.
Të përmbytura janë; Sheshi i Flamurit, rruga Isa Boletini dhe akset lidhëse bulevard –Transballkanike.
Bizneset kanë pësuar dëme të mëdha, ndërsa edhe në video duket qartë vërshimi i ujit duke dëmtuar çdo gjë që gjen para.